Kulturë

Nicolas Cage do ta portretizojë veten në filmin e tij të ardhshëm

Nicolas Cage do të luaj dhe do të jetë në fokusin kryesorë të filmit të ardhshëm “The Unbearable Weight of Massive Talent”, i cili planifikohet të lansohet nëpër kinema më 19 mars të vitit të ardhshëm. Kështu ka bërë të ditur “The Hollywood Reporter”.

Filmi, ku aktori e sjell një version imagjinarë të vetvetes, do të realizohet nga regjisori Tom Gormican dhe me skenar të Kevin Ettenit.

Lajmi për realizimin e filmit “The Unbearable Weight of Massive Talent”, për herë të parë u bë i ditur në nëntor të vitit të kaluar, kur krijuesit e tij ishin në bisedime me studion “Lionsgate”, për ta arritur një marrëveshje për realizimin e këtij projekti. Në të, Cage shfaqet duke punuar shumë për t'u angazhuar me rol në një film të Tarantinos, por përfundon duke e pranuar një punë për ta ndjekur ditëlindjen e një miliarderi meksikan, kjo për shkak të pagës së madhe që i ofrohet. Por, gjërat marrin kahe tjetër dhe Cage përfundon i përfshirë në disa situata të rrezikshme prej së cilave duhet të mbijetojë dhe të ndihmojë në shpëtimin e të tjerëve.

Ende nuk janë zbuluar emrat e aktorëve të tjerë që do të përfshihen në film, dhe nuk dihet kur do të fillojnë xhirimet e tij.

Cage së fundmi ka luajtur në trillerin e regjisorit greko-kanadez Panos Cosmatos, “Mandy”, dhe në filmin e “Grand Isle’. Që të dy filmat kanë pasur një buxhet më të vogël, krahasuar me filmat e kaluar ku aktori ka luajtur dhe të cilët ia kanë sjellë famën në Hollywood.

Në fund të këtij viti, Nicolas Cage, do të luaj edhe në filmin e Richard Stanleyit, “Color Out og Space”.