Kulturë

Shfaqja “a.y.l.a.n” më e mira në “Talian e Flakës”

Është ironi për dramën e vazhdueshme mbi fatin e refugjatëve, reagim ndaj përpjekjes së paskrupullt të shumë njerëzve për të përfituar nga tragjedia e tyre. Thuren në shfaqjen “a.y.l.a.n”, e cila ka marrë çmimin kryesor në festivalin e dramës shqipe “Talia e Flakës” në ceremoninë e së dielës mbrëma, në Teatrin e Qytetit të Gjilanit. U vlerësua edhe me një tjetër çmim pikërisht në skenën ku në dhjetor të vitit të kaluar është dhënë premierë botërore, në institucionin teatror të cilin e përfaqësoi në edicionin e 29-të të festivalit që mbahet në kuadër të manifestimit tradicional “Flaka e Janarit”. Regjisorja e shfaqjes Blerta Neziraj, me shfaqjen me tekst të Jeton Nezirajt, ka marrë çmimin për regjinë më të mirë. Juria në përbërje të regjisorit Agim Selimi, dramaturgut Visar Krusha e regjisorit Ekrm Sopi ka ndarë edhe çmime të tjera.

“Shkamat” është vlerësuar me çmimin ”Drama më e mirë origjinale e Festivalit” ,përderisa Sheqerie Buqaj me rolin në këtë shfaqje ka marrë çmimin për aktoren më të mirë. Edhe Xhevdet Doda me po këtë shfaqje ka marrë çmimin për aktorin më të mirë.

Drejtori i Teatrit të Gjilanit, Erson Zymberi, ka bërë të ditur se kanë ndarë edhe disa çmime speciale “që i bëjnë nder Teatrit, angazhimi i të cilëve ka bërë që të kemi këtë interesim të madh për teatrin”.

Post mortem është nderuar me çmim regjisori Nuhi Matoshi përderisa u nderua edhe aktori Muharrem Sylejmani, njëri ndër meritorët që Teatri ka këtë të arritur. Mirënjohje u janë ndarë Burhan Sylejmanin dhe Behajdin Hoxhës.

Në ceremoninë përmbyllëse, Deniza Limani, drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport dhe kryesuese e Bordit të këtij manifestimi, përshëndeti të pranishmit në emër të kryetarit të Gjilanit, Lutfi Hazirit, duke u shprehur e lumtur që pjesëmarrja dhe interesimi për ta përcjellë këtë manifestim ishte i madh. Ka veçuar interesimin e të rinjve “me çka garantohet e ardhmja e këtij festivali, përkatësisht e këtij manifestimi”.

Në edicionin e sivjetmë të “Talias së Flakës”, një prej shtyllave kryesore të manifestimit tradicional “Flaka e Janarit” kanë qenë edhe “Bryma e vdekjes”. produksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës, me tekst të Milazim Krasniqit, nën regji të Burbuqe Berishës, “Trenat” me tekst të Haqif Mulliqit, nën regji të Zanë Durakut, po ashtu produksion i TKK-së, dhe “Graviteti” me tekst të Lirak Çelajt, nën regji të Florent Mehmetit, produksion i teatrit “Oda”.