Kulturë

Shenjat e shenjta të vendlindjes

Descriptive Text

Pas përvojës shumëvjeçare të shkrimit të qindra poezive për fëmijë dhe të rritur, të përmbledhura në katër libra të botuar, tashmë poet i afirmuar, Fehmi Pireva del para lexuesve me një prozë të gjatë, me një roman, të strukturuar mirë dhe plotësisht të arrirë, shkruan sot Koha Ditore.

Edhe në këtë vepër, si fillimisht në poezi, duket me vetëdije synon të shkrijë tabutë e kufijve, të ndarjeve ndërmjet letërsisë për fëmijë dhe asaj për të rritur. Andaj, lexuesit e tij mund të jenë nga të gjitha moshat. Posa ta marrësh në dorë këtë libër, titulli i tij shumë i qëlluar “Prerja e frikës” të zgjon kërshërinë se çfarë simbolike përmban.

Të përkujton një zakon, një rit të stërlashtë, ndoshta të kohëve antike iliro-pellazge, që është ruajtur ndër shekuj deri në fëmijërinë e autorit. Të gjithë poetët, përgjithësisht shkrimtarët, krijimtarinë e tyre letrare e nisin me shkrimet për vendlindjen, nënën, përjetimet fëmijërore e rinore në vendlindje, fushat, malet, lumenjtë, varrezat, njerëzit e vendlindjes, me të cilët identifikohet vendlindja. Poeti Jusuf Gërvalla një libër poezish e ka titulluar “Shenjat e shenjta”.

Shenja të shenjta ai i quan të gjitha këto që u përmendën, që kanë lidhje me vendlindjen dhe me identitetin e saj.

Përjashtim nuk bën as autori i këtij romani. Si në poezitë e deritashme, ashtu edhe në këtë roman, ky autor shkruan për shenjat e shenjta të vendlindjes, me të cilat identifikohet ajo. Ndërkaq, mënyra e rrëfimit të kronologjisë së ngjarjeve, patjetër që të përkujton narratorin fëmijë të shkrimtarit të shquar shqiptar, Ismail Kadare në romanin “Kronikë në gurë”, që në letërsinë shqipe tashmë ka një traditë.

(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në gazetën “Koha Ditore”)