Kulturë

Kosova me qasje refuzuese ndaj trashëgimisë kulturore

Kosova ka mundësi për zhvillime kulturore, megjithatë ka qasje refuzuese ndaj trashëgimisë kulturore. Për këtë nevojitet strategji e përbashkët kulturore për promovimin e kulturës dhe trashëgimisë së vendit. Kështu u tha sot në konferencën “Promovimi i turizmit kulturor në Prishtinë”, të organizuar nga Ambasada Franceze dhe EUNIC Cluster Prishtina, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës.

Këshilltarja për bashkëveprimtari kulturore Ambasada e Francës dhe Presidente e EUNIC Cluster Pristina, Cecile Fisteberg, tha se projekti ka për qëllim koordinimin e aktiviteteve kulturore dhe forcimin e institucioneve qendrore e lokale. Ajo tha se Kosova ka mundësi për zhvillime kulturore.

E Valon Ibraj koordinator në EUNIC, Cluster Pristina dhe atashe për kulturë në Ambasadën e Francës, tha se ky projekt synon mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë. Sipas tij, që nga fillimi i Eunic Cluster Global në Prishtinë, janë organizuar disa aktivitete në bashkëpunimin me ambasadat e huaja në vend.

Ndërkaq përgjegjësja për turizëm në Komunën e Prishtinës, Lindita Cërvadiku-Dibra tha se në kioskun informativ të vendosur në qendër të Prishtinës, turistët mund të informohen përmes hartës për lokacionet në vend. Gjatë verës së kaluar, ajo tha se janë rreth treqind turistë që kanë kërkuar informacione në këtë kiosk./Kp/