Kulturë

“Meeting of Styles Kosova” sjell kryevepra të artit të rrugës

Admirues të shumtë të grafiteve kanë zbarkuar këtë fundjavë në njërën prej rrugëve më atraktive të Prishtinës, për të parë disa dizajne që kanë të bëjnë me artin e rrugës.

Mbi 60 artistë nga Amerika, Evropa dhe Ballkani janë përzgjedhur për të qenë pjesë e edicionit të parë të “Meeting of Styles Kosova”, që organizohet në partneritet me rrjetin ndërkombëtar të artistëve të grafiteve “International Meeting Of Styles”.

Artisti i grafiteve Xhevdet Kelmendi kishte udhëtuar nga Gjermania, për të qenë pjesë e kësaj ngjarjeje që solli diversitete të dizajnëve.

Një grafit që ka për bazë lidhjet miqësore të popujve të Ballkanit, të dielën në mesditë e krijoi artisti turk, Metin Golesh, i cili është drejtues i një reviste që raporton për artin që zhvillohet në Evropën Juglindore.

“Është me të vërtetë kënaqësi që për herë të parë të jemi bashkë me shumë artistë nga e gjithë bota. Ky është organizim i mrekullueshëm, derisa edhe njerëzit këtu janë shumë miqësor. Përshtypje të mira më la edhe ky lokacion ku ne jemi duke punuar, ndërsa grafiti im dua t’ju tregoj se ndërlidhet me Ballkanin dhe njerëzit që jetojnë këtu. Unë jam i besimit që edhe në edicionet e ardhshme do të jem i pranishëm në këtë ngjarje tejet atraktive”, ka thënë ai.

Këto vepra që i takojnë artit të rrugës do të qëndrojnë të dizajnuara në këtë formë në Rrugën B, deri në edicionin e ardhshëm të “Meeting of Styles Kosova”.