Kulturë

Skenari i Zgjim Terziqit do të zhvillohet edhe në Berlinale

Descriptive Text

Festivali i njohur i filmit, “Berlinale”, ka zbuluar listën me emrat e pjesëmarrësve në seksionin që titullohet “Script Station” të “Berlinale Talents” dhe regjisori e skenaristi Zgjim Terziqi është në mesin e tyre. Me skenarin “2000: A post war Odyssey”, Terziqi ka bindur jurinë që të bëhet pjesë e edicionit të ardhshëm që do të mbahet në shkurt të vitit 2020.

Ai e ka konsideruar një sukses të madh mundësinë që i është dhënë për të hyrë në mesin e dhjetë skenaristëve që do të jenë pjesë e këtij programi. Me të njëjtin skenar Terziqi kishte arritur që të jetë në mesin e tetë fituesve të zgjedhur në konkursin e sivjetshëm të Qendrës Kinematografike të Kosovës për zhvillim skenari. “Berlinale” këtë vit shënon edicionin e 70-të dhe mbahet nga 20 shkurti deri më 1 mars.

“Script Station” ua mundëson talenteve që të punojnë më afër me konsulentë skenarësh për të rregulluar skenarin e tyre, për të hyrë me thellë në historinë e tyre dhe për të sjellë jetë e saktësi në rreshtat që shkruajnë.

“Dhjetë pjesëmarrësve të ‘Berlinale Talents’ u ofrohet mundësia e zhvillimit të projektit sa u përket konceptit, strukturës së tregimit dhe çështjeve të tjera krijuese për të ndihmuar përmirësimin e projektit të tyre. ‘Script Station’ po ashtu ka për synim krijimin e një rrjeti skenaristësh, të cilët janë në gjendje që të përfitojnë nga përvojat e njëri-tjetrit dhe nga mentorët e tyre”, është përshkrimi i këtij projekti.

Aty tregohet se gjatë javës pjesëmarrësit marrin pjesë nëpër trajnime dhe punojnë në projektet e tyre të cilat më pas edhe i prezantojnë. Pas prezantimit pjesëmarrësit do të kenë mundësi që të kalojnë kohë me regjisorë dhe producentë të cilët janë pjesë e “Berlinale Talents”. Jashtë kohës që kalojnë në “Script Station” të përzgjedhurit do të marrin pjesë edhe në programin e “Berlinale Talents”… (shkrimin e plotë e gjeni sot në “Koha Ditore”)