Kulturë

Pianoja 40 mijë eurosh dhuratë, si të ishte e askujt!

Ilir Bajri, pianist e kompozitor, përmes disa fotografive ka përshkruar vulgaritetin e egërsinë që bëhet me pianon e cila është donacion për artistët e rinj e që gjendet brenda në Teatrin Kombëtar.

Në shkrimin e tij thuhet se piano është dhuratë e ‘International Fund for Music and Arts’, vlera e së cilës është rreth 40.000 euro, por edhe pse dhuratë, askush nuk kujdeset për të.

Koha.net ka kontaktuar me drejtorin e Teatrit Kombëtar, Agim Sopi, dhe gjithashtu me drejtorin e Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari.

Drejtori i Teatrit Kombëtar, Agim Sopi, ka bërë të ditur se piano e cila gjendet në Teatër, e cilësuar si e dëmtuar, është një rekuizitë.

Ndërkaq janë 3 piano të tjera, të cilat janë në përdorim për artistët, pianistët e muzikantët.

Në anën tjetër, ai ka bërë të ditur se është edhe departamenti i ruajtjes së rekuizitave, të cilët kujdesen për pianot që nuk janë në përdorim.

“Ne i kemi 3 piano në dispozicion, pianoja në fjalë është rekuizitë, normalisht që është stafi që kujdeset për to”, ka thënë Sopi.

Ndërkaq, edhe në Filarmoninë e Kosovës, gjenden dy piano të cilat janë donacione dhe që janë në përdorim.

Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari ka bërë të ditur se në Filarmoni aktualisht gjinden dy piano të cilat po ashtu janë donacione.

Njëra është donacion amerikan, piano Yamaha, dhe tjetra donacion japonez, piano Kawai.

Për pianot tjera, 5-6 prej tyre, ai ka thënë se janë shpërndarë nëpër disa institucione të ndryshme për nevoja të tyre, ndërkaq 2 të cilat mbahen në Filarmoni janë në dispozicion, sipas nevojës.

Por megjithatë, Ilir Bajri, pa i drejtuar shkrimin askujt, ka thënë se e ka bërë me qëllimin që të kthejë vëmendjen tek një problem i cili, sipas tij, kërkon zgjidhje.

Shkrimi i plotë i Ilir Bajrit:

Kjo asht gjendja e pianos, qe asht dhurate e International Fund for Music and Arts - donacion qe u dedikua per komunitetin e muzcientave, per studentat dhe artistet e rinj - qe me kriju kushte sadopak normale per zhvillim, edukim e perparim.

Me vendime te pamatuna, me arrogance e prepotence keto piano u shpërndanë ne mënyre arbitrare neper institucione, Salla e kuqe, Shota, Teatri Kombëtar, etj... nje prej tyre ka kalu edhe nji kohe te gjate ne hotel - për shërbime "speciale" dhe e rezervuar vetem per organizimet e "elitës" univerzitaro-artistike...

Pianoja ne foto - ndodhet ne Teatrin Kombetar. Gjendja asht kjo ne foto - plus mësova plot tregime për hedhjen e rekuizitave mbi te, skeleve e shkalleve gjate renovimit te skenës.. e te ngjashme!

Përderisa pianistet e rinj, artistet e rinj, shpresa pra e ardhmënisë sonë - lun, ushtron e koncerton ne piano te shkallmuara qe nuk riparohen me vjet e as nuk u lejohet qasja ne këto qe janë dhuruar pikërisht për ketë pune. Qysh ne fillim pata reagua duke thane qe ky vendim e kjo shpërndarje e pianove përveç qe nuk asht aspak zgjidhje e mire per komunitetin poashtu do te jete shkatërruese për pianot... siç ashiqare shihet ne foto.

Vlera e kësaj pianoje shkon rreth 40.000 euro + asht dhurate. Dhurate miqësore e menduar si ndihme e përkrahje.

Po për kënd se? Populli qe i trajton ne keso mënyrë dhuratat, qe i mshef e i len me u shkateru duke ua mohuar te drejtën te rinjeve, studenteve e femijeve me u sherby me to e me u eduku e zhvillu mire - meriton sundues, meriton diktature edhe meriton me ja fut vizat, ashpër!

Sepse, sheepy, jemi bukpermbysa!