Kulturë

Aroma e kafesë në qendër të Prishtinës

Foto: Koha

“Pse nuk ke ndonjë reklamë, mezi e gjeta”, thotë një grua në moshë, paksa me qortim të butë në drejtim të mullixhiut të kafesë.

“S’ka nevojë, mjafton aroma”, thotë me të qeshur ai, sa për të marrë po ashtu me një të qeshur miratimin nga zonja.

“Po e vërtetë, aroma mjafton”, thotë ajo, dhe pa u vonuar bën porosinë e saj.

Qetësinë në dyqanin e vogël, jo më shumë se 10 metra katrorë, e prishin mullinjtë e blojës, prodhim të Shkupit të Maqedonisë së Veriut, mbi enët e të cilëve vendoset kafeja që pret të bluhet, shkruan sot “Koha Ditore”.

Naim Sylejman, një prishtinas vendas, e ka nisur në vitin 1989 këtë zanat. Thotë se krejt rastësisht, prej zorit, pas largimit nga puna nga ndërmarrja “Ramiz Sadiku”, në kohën e diferencimeve politike të regjimit të Slobodan Milosheviqit. Dyqani i tij sot është modern. Mullinjtë janë ata të kohës kur ka nisur punën Sylejman, fillimisht në një kioskë jo shumë larg vendit ku tash e ushtron veprimtarinë.

“Gjithmonë e freskët” si moto

E vërteta është se nuk mund të kalosh nëpër rrugën “Luan Haradinaj”, e të mos e tërheqë vëmendjen aroma e fortë e kafesë së pjekur, që arrin të dominojë me gjithë ajrin e ndotur e tymin e makinave që s’ndalen asnjëherë nëpër njërën prej “arterieve” qendrore të kryeqytetit.

Një copë druri i vogël, mban një copë hekuri që ngjason me kokrrën e kafesë. E në të është shkruar “Cafe Mocca”, e poshtë shkronjave është viti kur Sylejman nisi këtë veprimtari – 1989. Një linjë në formë të aromës dhe fjalia në shqip dhe anglisht “Gjithmonë e freskët” (Always Fresh) është pothuajse e gjithë reklama buzë pak shkallëve që duhet kaluar për të hyrë në dyqanin e vogël.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)