Kulturë

Kadare për Handken: S’është dashur t’i jepet Nobeli, ka kaluar vijën që s’duhet kaluar në letërsi

Foto: Driton Paçarada / Koha Ditore

Këtë të mërkurë shkrimtari shqiptar Ismail Kadare ishte në Seul të Koresë së Jugut, ku u nderua me çmimin prestigjioz “Pak Kyong-ni” për vitin 2019.

Duke folur për fituesin e Nobelit në letërsi për vitin 2019, shkrimtarin Peter Handke, i cili u bë objekt debatesh për lidhjet e tij me Sllobodan Millosheviqin, Kadare tha se është dakord me mendimin e shumë kritikëve të tjerë.

Akademia Suedeze nuk duhet t’ia kishte dhënë çmimin Handkes, tha ai.

“E njoh personalisht Handken dhe kam ngrënë drekë me të disa herë. Mendoj se ekziston një vijë që letërsia nuk duhet ta kalojë, por Handke e kaloi atë. Vrasja nuk duhet të pranohet nën asnjë rrethanë”, tha Kadare për Zërin e Amerikës.

Ai tha se ka qenë vetë viktimë e censurës dhe shtypjes së qeverisë dhe se kjo mund ta ketë bërë të jetë kaq i ndjeshëm ndaj kësaj çështjeje.

Çmimi Pak Kyong-ni do t’i dorëzohet Ismail Kadaresë më 26 tetor në qytetin Wonju të provincës Gangwon.

Ky është çmimi i vetëm ndërkombëtar letrar që Koreja e Jugut u jep shkrimtarëve.