Kulturë

Ka nisur "Java e Shkencës 2017", Kosova mirëpret shkencëtarët e rinj

Descriptive Text

Prishtinë, 16 maj – Në organizim të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) të Republikës së Kosovës, nisi “Java e Shkencës 2017”, një konferencë e cila organizohet çdo vit në Kosovë. Ky aktivitet ndikon në krijimin e lidhjeve të shkencëtarëve me institucionet e ndryshme ku paraqiten të arriturat më të fundit shkencore të vendit dhe të vendeve nga vijnë pjesëmarrësit e kësaj konference.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i Republikës së Kosovës, Arsim Bajrami në fjalën e tij ku hapi zyrtarisht "Javën e Shkencës 2017 “ tha se ky aktivitet që po organizohet tradicionalisht në Kosovë tubon shkencëtarët e shumë vendeve të botës dhe rajonit dhe është një mundësi e mirë për stimulimin dhe kërkimin shkencor në Kosovë.

Ai theksoi se Qeveria e Kosovës duhet të dalë në mbështetje shkencëtarëve të rinj dhe të bëhet e mundur që secili institucion i arsimimit të lartë, universitet publik apo kolegj privat mos të ekzistojë vetëm për të dhënë diploma akademike, por ta ketë për detyrë që të kultivojë edhe punën kërkimore shkencore.

Bajrami duke theksuar se BE-ja mbështet shkencëtarët e rinj me dhjetëra projekte bëri të ditur se Kosova ka aplikuar që të bëhet anëtar në projektin e BE-së Erasmus +, në projektin Sokrates të cilat janë mundësi të mëdha për shkencëtarët e rinj në Kosovë. Ai tha se është e hapur dera e aplikimit në horizont 20-20 dhe ftoi shkencëtarët e rinj që të konkurrojnë dhe të ndërmarrin projekte përbrenda këtyre programeve të BE-së.

“Republika e Kosovës, si një vend dhe shtet i ri, i cili po aspiron integrimin në Bashkimin Evropian duhet të angazhohet shumë që në përkrahje të shkencës në ndarjen e fondeve të mëdha për t'u stimuluar kërkimi shkencor drejt nevojave të zhvillimit ekonomik dhe në përkrahjen e hulumtuesve dhe shkencëtarëve të rinj”, tha Bajrami.

Ndërsa, Myzafere Limani, kryetarja e Këshillit Shkencor në MASHT, e cila prezantoi temën “Përfitimet dhe mundësitë e reja të Kosovës nga anëtarësimi në UNESCO” pra tema kryesore e edicionit të “Javës së Shkencës 2017”, tha se secili person që është pjesë e fushës së shkencës dhe trashëgimisë kulturore duhet ta ngre zërin dhe të punojë shumë që Kosova të bëhet pjesë e UNESCO-s.

Ajo duke shprehur shpresën që qeveria e Kosovës ka bërë përgatitjet për një mundësi të aplikimit të dytë këtë vit pas dështimit për t'u anëtarësuar në UNESCO në vitin 2015 tha se “Bazuar në realitetin aktual politik një gjë e tillë është pak e besueshme sepse afati i fundit për aplikim është muaji qershor. Ne duhet të bëjmë përpjekje serioze për anëtarësimin në këtë organizatë”.

MASHT çdo vit organizon konferencën vjetore kombëtare të shkencës “Java e Shkencës” e cila mëton të jetë ngjarje e përmasave ndërkombëtare shkencore në të cilën shkencëtarët kosovarë dhe të rajonit do t’i paraqesin arritjet e tyre shkencore njëvjeçare. Pritet që në konferencë të marrin pjesë shkencëtarët nga të gjitha trevat shqiptare diaspora dhe vendet e rajonit.

“Java e Shkencës 2017” do të vazhdojë deri më datën 19 maj.