Kulturë

“Rruga model” për rikthimin e Prishtinës së Vjetër mbetet në letër

Prishtinë, 13 shtator – Një shtresë kubëzash sikur kalldrëmet e moçme, fasada të reja për dyqanet dhe ndriçim i ri, ishin menduar si disa nga mënyrat për rikthimin e një copëze të identitetit të vjetër të Prishtinës. Jo larg ngrehinës ku dikur ishte Konsullata serbe në Prishtinë, rruga “Mehmet Kaquri” edhe sot siguron një lidhje mes për mes pjesës së vjetër të qytetit.

Pjesa e poshtme e saj është e mbushur në të dyja anët me dyqane argjendarie, ndërkohë nga mesi i saj ndodhet shtëpia e Kurtesh Sylejmanit, e cilësuar si më e vjetra në kryeqytet, përderisa disa metra përtej saj ndodhet shtëpia-monument e Muharrem Sejdiut. E në krye të rrugës, tek njëra nga shtëpitë e vjetra, vazhdon t’i ketë para vetes rrethojat e hekurta që paralajmërojnë kujdes për punime në rrugë. Të ngrënë nga koha, trarët gjysmë të kalbur rrezikojnë të shembin edhe kulmin me tjegullat e vjetruara.

Më 27 prill të vitit të kaluar, organizata joqeveritare “CHwB Kosova” kishte nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit me Komunën e Prishtinës, përmes të cilit parashihej, ndër të tjera, edhe hartimi i planit të rigjenerimit për “Rrugën model”. Në këtë memorandum parashihej që fillimisht të bëhej përcaktimi i kufijve të Qendrës Historike të Prishtinës e më pas të ofrohej mbështetje e trashëgimisë kulturore nëpërmjet projekteve. Në maj të po atij viti kishin filluar edhe matjet gjatë rrugës “Mehmet Kaquri”, ndërkohë që përfaqësues të organizatës “CHwB” dhe nga Drejtoria e Kulturës e Komunës së Prishtinës kishin zhvilluar takime me pronarët e dyqaneve të shumta të cilët ishin njoftuar me projektin në fjalë. Gazeta kishte raportuar gjatë vitit të kaluar se Komuna kishte planifikuar një buxhet prej 200 mijë eurosh për këtë projekt.

Fiks një vit më parë autoritetet komunale kishin premtuar se puna për jetësimin e këtij projekti do të niste në pranverën e këtij viti. Ndërkohë që edhe vera po i afrohet fundit, punimet nuk janë kurrkah.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")