Kulturë

“Sunny Hill” nga viti 2020 mbahet në Qendrën e Panaireve në Bërnicë

Festivali Sunny Hill në vitin e ardhshëm do të organizohet në Qendrën e Panaireve në Bërnicë.

Ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, së bashku me përfaqësuesin e “Sunny Hill”, Dukagjin Lipa, sot në Prishtinë kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi lidhur me organizimin e këtij festivalit kulturor.

Me këtë rast, Shala ka njoftuar se festivali tash e tutje do të organizohet në qendrën e panaireve në Bernicë, qendër kjo që sipas tij është ndërtuar me investime të mëdha.

“Ishte kënaqësi qe së bashku me Lipën të nënshkruajmë marrëveshje bashkëpunimi për festivalin i cili e ka kthyer Kosovën në hartën e turizmit kulturorë. Me përkushtimin maksimal kemi arrit t’i krijojmë edhe lehtësirat e duhura që ky festival të organizohet edhe në ambiente me të mira. Sunny Hill do të organizohet në qendrën e panaireve në Bërnicë e cila është ndërtuar me investime të mëdha të Qeverisë së Kosovës. Ne gjithmonë së bashku do të bëjmë më të mirën për rininë e vendit”, u shpreh ministri Shala.

Dukagjin Lipa, falënderoi ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë për mbështetjen që po i jep këtij festivali.

Ndër të tjera, Lipa ftoi të gjithë rininë e vendit që të jenë pjesëmarrës në vitin e ardhshëm në Bërnicë.

“Jam shume falënderues ndaj ministrisë për ndihmën që po ia jep festivalit. Festivali nuk merr ndihmë tjetër prej Qeverisë së Kosovës. Po shpresojmë që së shpejti për rininë e Kosovës do të bëjmë më të mirën. Me një proaktivitet të veçantë dhe me shpejtësi ministri Shala e ka përfundua këtë punë. Ju presim vitin e ardhshëm në Bërnicë”, tha Lipa.