Kulturë

Këshilli i Muzeut akuzon MKRS-në për hakmarrje, “nuk u zgjodh drejtor njeriu që donin”

Ministri në dorëheqje i Kulturës e ka anuluar procesin e përzgjedhjes së drejtorit të ri të Muzeut të Kosovës, dy ditë pasi në këtë pozitë u zgjodh Ajet Leci, i cili është anëtar i Kryesisë së PDK-së në Drenas.

Ministria që udhëhiqet nga Kujtim Gashi i PDK-së, ka shkarkuar Këshillin Drejtues të muzeut me arsyetimin se zgjedhja e Lecit në krye të muzeut nuk është bërë në mënyrë transparente.

Këtë rast e ka shfrytëzuar kreu i PDK-së, Kadri Veseli, për të thënë se partia e tij po e lufton korrupsionin dhe nepotizmin. Derisa vendimin e ka arsyetuar ministri Gashi.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar këshilli i shkarkuar. Arben Hajdari, ish-anëtar i këshillit, ka thënë se ky vendim është marrë si formë hakmarrjeje, pasi sipas tij, nuk është zgjedhur kandidati, Sedat Sahitaj.

Sipas Hajdarit, Sahitaj është shok i Samir Hoxhës, këshilltarit të ministrit Kujtim Gashi.

Kohavisioni ka siguruar një komunikim të përfaqësueses së ministrisë së Kulturës, Donjeta Bytyqi, me njërin nga anëtarët e Këshillit drejtues tashmë të shkarkuar.

Në këtë komunikim, Bytyqi përcjell një porosi të Samir Hoxhës, këshilltarit të ministrit Gashi.

“Samiri ka thënë që nëse Sedati nuk e kalon listën e ngushtë duhet të anulohet”, i ka shkruar Bytyqi njërit prej anëtarëve të këshillit.

Por, Samir Hoxha ka mohuar të ketë kërkuar përzgjedhjen e Sedat Sahitajt në krye të muzeut.

Hoxha ka deklaruar se Këshilli ka bërë shkelje gjatë procedurave të përzgjedhjes.

Por, vendimin e sotëm të ministrit në dorëheqje e ka quajtur të paligjshëm shoqëria civile.

Ndërsa reagimin e Veselit, Arbresha Loxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike e vlerëson si hapje të fushatës zgjedhore.