Kulturë

Pesë vjet nga vdekja e akademikut Besim Bokshi

Sot bëhen pesë vjet nga vdekja e akademikut Besim Bokshi, njëri nga gjuhëtarët më të shquar të Kosovës dhe të shkencës së albanologjisë në përgjithësi.

Besim Bokshi lindi në Gjakovë në vitin 1930. Mësimin fillor e kreu në Tiranë dhe në Gjakovë, ndërsa atë të mesëm në Gjimnazin e Prishtinës.

Studimet e larta i kreu në Katedrën e Albanologjisë në Beograd, për t’u kthyer në vendlindje ku për vite me radhë punoi si profesor në gjimnazin dhe në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Gjakovës.

Ka punuar në Institutin Albanologjik dhe në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës.

marrë pjesë në të gjitha ngjarjet gjuhësore me rëndësi, përfshirë edhe Kongresin e Drejtshkrimit në Tiranë më 1972, ndërsa gjatë viteve nëntëdhjetë ka qenë i përfshirë në zhvillimet politike të asaj kohe në Kosovë.

Në vitin 1991 është zgjedhur anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitet 2008-2011 ishte kryetar i saj.

Vepra shkencore e Besim Bokshit përbëhet nga disa studime monografike nga fusha e morfologjisë historike të gjuhës shqipe, ku veçmas shquhen studimet e tij për fleksionin nominal, për nyjet, për pjesoren etj.