Kulturë

Dua me “One Kiss” e Calvin Harris me performancë të jashtëzakonshme i japin vulën “Sunny Hillit” për sivjet

Një përmbyllje fantastike i ka dhënë DJ i famshëm Calvin Harris edicionit të dytë të festivalit “Sunny Hill” në Prishtinë.

Me hitet e tij botërore ai arriti të vazhdojë atmosferën e jashtëzakonshme që për dy ditë krijuan yje të shumta vendore dhe superyjet botërore Miley Cyrus e reperi shqiptaro-amerikan Gashi.

Pas paraqitjeve disa orëshe të DJ-ve të tjerë, po ashtu emra të mëdhenj, DJ-i i famshëm britanik hapi performancën pak minuta pas së dielës. Efektet e jashtëzakonshme në skenë u ndërlidhën në mënyrë të përsosur me performancën e tij. Hapësira e madhe në parkun e “Gërmisë” dukej se nuk i zinte të gjithë të pranishmit.

Qysh në fillim të paraqitjes, Harris pati një befasi për të pranishmit. Edhe pse nuk kishte konfirmuar asgjë më herët, në skenë doli këngëtarja shqiptare me famë botërore Dua Lipa. Lipa e cila ishte një ndër artistet kryesore të edicionit të parë, performoi hitin “One Kiss” në skenën gjigante. Edhe pse doli në skenë, Lipa s’pati nevojë të këndojë fare, pasi publiku ia “zuri” vendin e këngëtares.

“Summer”, “How Deep Is Your Love” e shumë hite të tjera të Calvin Harrisit i dhanë më tej vulën e suksesit festivalit që po përçon zërin e Prishtinës në botë.

Edicioni i dytë i festivalit “Sunny Hill” pos promovimit të vendit dhe kulturës, ka pasur ndikim të madh edhe për ekonominë lokale. Bashkë me “DokuFestin”, të dy festivalet bënë që Prishtina e Prizreni të mbushen me turistë, ku shumica e bujtinave dhe hoteleve në të dy qytetet u mbushën.

Njëkohësisht ky ishte edicioni i fundit i “Sunny Hillit” që mbahet në parkun e Gërmisë. Pak para se të mbahej edicioni i dytë, organizatorët kishin thënë se nga viti i ardhshëm “Sunny Hill” do të mbahet në Qendrën e Panaireve në Bernicë – Prishtinë.