Kulturë

Lumi, regjisori për të cilin teatri ishte besim

“Lajmi niset nga Kalkuta, dhembje sjell, pikëllim, një shejtneshë me gjak shqiptare u nis për amshim”. Me këto vargje niste një poezi e regjisorit Bekim Lumi, të cilën e kishte shkruar më 5 shtator të vitit 1997 në Münich, pikërisht në ditën kur Gonxhe Bojaxhiu ndërroi jetë.

“Me Shën Florin, Shën Laurin, bij të Dardanisë, Nanë Tereza tash përkundet n’krahët e lavdisë”, vazhdonte tutje refreni i kënduar nga sopranoja Shpresa Gashi në manifestimin përkujtimor, që shënoi njëvjetorin e ndarjes nga jeta të regjisorit Bekim Lumi.

Miq e bashkëpunëtorë të shumtë, studentë e dashamirë të artit, të martën, në sallën kryesore të Teatrit Kombëtar të Kosovës përkujtuan regjisorin e cilësuar si një nga njohësit më të mirë të teatrit në botën shqiptare, shkruan sot Koha Ditore. Me moton “Unë besoj në teatër”, profili i Bekim Lumit u vlerësua për kontributet e tij të shumanshme në fushën e teatrit dhe të kulturës.

Aktorja Melihate Qena ka thënë se të gjithë ata që patën rastin të punonin me Bekimin janë të bekuar.

“Bekimi i bekuar. Nuk ishte vetëm ai, por të bekuar janë të gjithë ata që punuan me të. Bekimi ishte një njohës i shkëlqyeshëm i gjuhës shqipe, letërsisë, muzikës dhe arteve”, ka thënë ajo.

Qena ka thënë se Lumi e donte gjuhën shqipe, madje bënte përpjekje që të krijonte edhe fjalë të reja.

“Me dëshirën që të mos përdoren fjalë të huaja aty ku nuk kanë vend, ai krijoi fjalë të reja, dhe mes shumë të tjerave ai krijoi edhe fjalën ‘artësim’. Kjo fjalë, sipas Bekimit, kishte kuptimin e lartësimit, emancipimit, iluminimit dhe fisnikërimit përmes artit. Kjo fjalë e re mund të përdorej në format ‘artësim’, ‘me artësu’, ‘me u artësu’, ‘të artësosh’, ‘të artësohesh’ apo kur e uron dikë ‘u artësofsh!’ apo edhe ‘Zoti të artësoftë’ etj. Zoti e ka artësuar Bekimin”, ka thënë mes të tjerash Qena, e cila të veshur mbante një fustan që e kishte pasur në një nga shfaqjet e regjisorit të ndjerë. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)