Kulturë

“Express Summer” sjell material ekskluzive

Nga 29 korriku, në kuadër të skemës programore të Kohavisionit, do të nisë sezoni veror i emisionit “Express”. Këtë verë programi do të sjellë argëtim për 120 minuta në ekranet televizive.

“Express Summer” do të drejtohet nga dy prezantues të KTV-së: Argjirë Zhushi dhe Armend Shala. Programi veror do të ruajë pak a shumë formatin e tij. Ai do të sjellë intervista me të ftuar specialë, debate në studio të cilat kryesisht lidhet me showbizin e kulturën, si dhe rubrikat të cilat këtë verë vijnë më të shumta në numër.

Emra të njohur të skenës muzikore do të kalojnë në javën e parë të “Express Summer” duke nisur nga reperi Ledri Vula, i shoqëruar nga hip-hop artistja kosovare Tayna e deri tek emra të dëshmuar të skenës muzikore shqiptare si Sabri Fejzullahu e Merita Halili.

Përveç të tjerësh, në fund të javës do të vijë edhe një reportazh special për edicionin e sivjetmë të festivalit “WaveUL”, i cili u mbajt në Ulqin nga 25 deri më 28 korrik e që mblodhi emra të dëshmuar të muzikës elektronike.

Dallgët e detit dhe tingujt e muzikës u bënë së bashku në këtë festival, i cili u mbajt në Plazh të Madh. Darko Miloseviq, “Agents of time”, Dj Jock, “Mathame”, Millok, Lehar, Raxon, Rodriguez JR., Iceberg, After Affair, Shall Ocin, Andrey Pushkarev, Audiostorm, Bokee, Aleksandra Duende, janë disa nga emrat e njohur të muzikës elektronike që i janë bashkuar festivalit këtë vit.

Organizatorët e këtij festivali janë nga Ulqini, në bashkëpunim me një grup profesionistësh nga Mali i Zi, si dhe Next Level, i cili është përkujdesur për artistin e mirënjohur dhe në rritje nga Afrika, Themba.