Kulturë

Luçia Nadin: Tragjedia e rigjetur e Skënderbeut

Descriptive Text

Shqipëria ka njohur në vitet e jetës së saj me këtë emër shumë studiues të huaj. Edhe si Arbëri, po ashtu.

Dëshmitë e shkruara të udhëtarëve, kalimtarëve, konsujve e studiuesve të huaj që kanë kaluar këtejpari, kanë sot për ne vlera të mëdha; së pari se dëshmitë e shqipes së shkruar janë të vona (edhe pse ne kemi pasur trashëgimi orale); e dyta, sepse përmes tyre njohim atë që kemi qenë.

Prej të mësipërmve, ka pasur shumë llojesh. Gjen mes tyre, emra që na zbuluan thesare e që na i lanë, gjen edhe emra që zbuluan thesare e na i morën; gjen që na deshën, gjen që iu deshëm; gjen që “i përdorëm”, gjen që na përdorën. Në radhën e këtyre emrave studiuesish të huaj, Luçia Nadin, është pa më të voglin dyshim, një emër që na ka dhënë më shumë sesa i kemi dhënë, shkruan Gazeta Shqiptare.

Në mos për asgjë tjetër Statutet e Shkodrës, pa Luçia Nadinin, do kishin mbetur veçse një grumbull dokumentesh në Venecian e pafund. Gjetja e saj, na radhit ne shqiptarëve sot mes kombeve të Europës në mesjetë; radhitje që rrekemi pareshtur ta “imitojmë” sot- me një masë suksesi të diskutueshme.

“Sot, falë kuriozitetit e pasionit shkencor për hershmëritë shqiptare të Prof. Luçia Nadin, ne zotërojmë pa dyshim një tjetër perlë, po aq të çmuar sa e para. Nëse e para, Kronika e Gjon Muzakës, na njeh me jetën dhe shoqërinë feudale shqiptare të shek. XIV-XV, Statutet e Shkodrës na zbulojnë në mënyrë verbuese polin tjetër të qytetërimit mesjetar shqiptar, atë të qyteteve autonome, ku Shkodra zinte një vend të veçantë nderi në krejt arealin dalmato-shqiptar”, shkruan Pëllumb Xhufi, në botimin e ri, tanimë anastatik të librit “Statutet e Shkodrës – Nga gjysma e parë e shek. XIV, me shtesat deri më 1469”.

Historia e Nadin me Shqipërinë zë fill më 1994. 23 vite më pas, vjen në një bisedë në “GAZETA SHQIPTARE”, për të rrëfyer këtë udhëtim, nga zbulimet e fundit te vëmendja e munguar. Dokumente të gjetura e të sjella falas, që mezi shohin dritën e botimit, qëndrojnë në mendjen e saj, e në mundimet e kërkimeve të përditshme në arkivat veneciane.

Një tragjedi për Skënderbeun

– Së fundmi keni mundur të gjeni një tragjedi për Skënderbeun. Ç’rëndësi ka ajo në lëmin e dokumenteve a veprave për të?

Kjo pjesë është një mrekulli për vendin tuaj, sepse del përmes saj një imazh i Skënderbeut që nuk është vetëm imazh politik, por imazhi i njeriut që deshi të bashkonte vendin e tij. Vepra është e vitit 1783. Në bibliografinë zyrtare është thënë gjithnjë që tragjedia ka humbur.

Jemi në 1700-ën, kur një njeri nga Dalmacia shkruan një tragjedi, me protagonist Skënderbeun. Unë e rigjeta, por që të mund të shkruaja për të, më duhej leja. Ata që kanë veprën origjinale, fillimisht nuk më lejonin dhe as nuk donin që të shkruhej për gjetjen. Ishin të trembur, kishin frikë pasi e cilësonin edhe “një tekst religjioni”- meqë Skënderbeu njihet edhe si mbrojtës i krishterimit, zonja që e mbante librin më thoshte se kishte frikë nga ISIS-i.

– Ku jetonte ajo?

Jetonte në Trieste. Më kishte dërguar fotokopjet dhe me to mund të shkruaja për tragjedinë, por fillimisht nuk e bëra se doja të isha korrekte. I kisha dhënë fjalën që doja të bëja diçka shkencore, e jo një skup mediatik- nuk doja të vija në Shqipëri e të bërtisja: kam gjetur tekstin e tragjedisë së humbur të Skënderbeut.

– Sa faqe është tragjedia?

Janë rreth 70 faqe dhe autori që e ka shkruar quhet Triffone Smecchio.

M’u desh të studioja tekstin dhe të kuptoja pse ishte shkruar në fund të 1700-ës dhe pse ishte shkruar mes Venecias e Padovas. Studiova teatrot dhe punova një vit e gjysmë. Tani, teksti është aty, por kush do ta publikojë? Kush është ai do t’i japë paratë për ta botuar? Unë nuk kërkoj para dhe nuk i kam kërkuar kurrë, por vetë nuk kam mundësi ta botoj. Ai është një tekst që mund të përdoret edhe për t’u vënë në skenë.

– Cili është imazhi i Skënderbeut në këtë tragjedi?

Është një autor venecian që jeton në Dalmaci, ku është ende e gjallë jehona e Skënderbeut si mbrojtës i krishterimit në Ballkan, ndaj shkruan këtë tragjedi së cilës i mungon një akt. E publikova këtë fakt me Ardian Ndrecën. Të shohim nëse ndokush do interesohet që ajo të përkthehet e botohet në shqip. (Ajo që shqetëson Nadinin është destini i këtyre dokumenteve, ndaj pyet me një çehre të zbehtë- ‘a do e donit ju këtë tekst në bibliografitë tuaja? Unë jua rikthej, po ju, a doni të bëni diçka me të? Nuk ju kërkoj asgjë, sepse asnjëherë nuk kam kërkuar, por nëse ju rikthej faqe të historisë suaj, a do keni ju pak vëmendje për historinë tuaj?’ Pyetjet e saj kanë të bëjnë me dëshirën tonë për dije e për të vënë në vend historitë e humbura, copëza të rigjetura të së shkuarës së ‘errët’, në kohët e një Arbërie nën thundrën e sunduesve.)

Në atë kohë(shekulli XVIII kur u shkrua tragjedia) kishte një valë emigracioni shqiptarësh. Ndërsa tragjedia, sjell imazhin e një fushe lufte dhe një Skënderbe, i cili tradhtohet nga një njeri i tij i besuar. Ka një përballje mes qëndrestarëve e tradhtarit. Në kampin e Skënderbeut kanë mbetur e motra dhe e shoqja (që për Nadin përbëjnë në vepër ‘dy figura të mrekullueshme femërore’). Skënderbeu i thotë të ikurit se “nëse do ketë luftë mes nesh, nuk do bashkohemi kurrë, do humbasim”. Mendoj se ky është një mesazh i fortë, sepse ai ka dëshirë të bashkojë vendin dhe është kundër luftës së brendshme. Në fund, tradhtari rikthehet.

Ribotimi i statuteve

(Të nxjerra në dritë pas rreth shtatë shekujsh, Statutet e Shkodrës na sjellin një pamje të panjohur më parë të një segmenti të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë, duke na shfaqur fytyrën e një vendi me qasje kah detit, pjesë e një qarku mesdhetar, që asaj kohe përbënte vetë qendrën e botës së njohur… Këto ditë ka dalë në librari nën siglën e ‘IDK’, botimi i ri i Statuteve të Shkodrës. Është dorëshkrimi origjinal i dokumenteve të 1300-ës, kopje unike të Bibliotekës së Venecias. Nadin sqaron rëndësinë e një botimi anastatik që e bën historinë po aq të prekshme sa në arkiv. Kapitujt e Statuteve na paraqesin një jetë qytetare e cila nuk kishte asnjë ndryshim nga ajo që zhvillohej në shumë vende të tjera të ngjashme në Europën mesjetare).

– Një botim i ri anastatik i Statuteve të Shkodrës. Çfarë ndjesie ju jep ky botim?

Unë i kam bërë në Venecia ato fotokopje, faqe për faqe, siç janë. Janë 40 imazhe që rikthejnë te ju historinë mesjetare. Dihej që qytetet e Durrësit e Shkodrës i afroheshin Perëndimit, e që kishin një strukturë perëndimore. Ky tekst, tani del si botim anastatik, çdokush e lexon si të kishte në duar dorëshkrimet. Jua kam dhënë këto foto, që do të kushtonin shumë, falas.

– Sa do të mund të kushtonin?

Nga ana ime, nuk është çështje parash. Kam thënë, jam studiuese që ua kam kushtuar jetën studimeve për Shqipërinë dhe raporteve të saj me Venecian. Tani që doli libri, më në fund çdo shqiptar do të shohë dokumentet origjinale. Nëse në përkthimin e dokumenteve mesjetare ka gabime, do të jeni ju që do e dalloni, pra specialistët. Është si të kisha unë në dorë ekzemplarin e “Mesharit” të Buzukut. Kjo është vlera e një botimi anastatik. Në gjithë këto vite, kam shkruar gjëra të “rënda”(a të vështira për t’u besuar), por vetëm përmes dokumenteve kam mundur të jem e ndershme dhe e besueshme. Unë jap dokumentin, jo interpretimin.

Botuesi shqiptar i Barletit e shqiptarët e Venedikut

(Ku shkroi (At) Marin Barleti? Kush ishte pas tij? Kush e botoi? Si ia doli të botonte matanë detit ‘Rrethimin e Shkodrës’ e ‘Historinë e Skënderbeut’? Nadin, flet për një emigracion shqiptar në Venedik, që u integrua deri në asimilim.)

– Nadin, jeni marrë gjatë me emigracionin shqiptar në Venedik. Kush ishte botuesi i Marin Barletit?

Botuesi i Barletit ishte Bernardino Vitali. Duke i studiuar këto vepra, unë kuptova që botuesi ishte me origjinë shqiptare, e ishte për këtë arsye që i botoi librat e Barletit. Nëse ai sot shihet si humanist, shtrohet pyetja, si u bë i tillë? Sepse kishte pas shpatullash, një venecian humanist. Por, për ta treguar këtë duhet të studiosh vepër për vepër, aktivitetin e botimeve të Bernardino Vitalit, e të gjesh mes të tjerash një vepër të tijën ku gjendet një vizion i kalasë së Shkodrës.

– Si e vërtetuat që Vitali kishte origjinë shqiptare?

Për të vërtetuar që botuesi ishte me origjinë shqiptare më është dashur shumë punë. Më së pari, mësova se shqiptarët emigrantë në Venecia kanë pasur shumë mbrojtje nga shteti i kohës- Shqipëria “ishte” nën mbrojtjen e shtetit të Venecias, ndaj kjo e fundit e ka pasur politikë integrimin e shqiptarëve emigrantë. Arrijmë të mësojmë kështu integrimin e vetë botuesit, më pas kemi botuesin që boton Barletin më 1504- kohë kur mbyllet fronti i luftës me turqit e duhej bërë një vepër paqeje me Shqipërinë. Emigrantët që ishin atje, thonë se kanë ndihmuar të shpëtojnë krishterimin europian, duke ndaluar turqit, ndaj nga ana veneciane ka një lloj marrjeje të përgjegjësisë mbi supe mbi këta të ardhur. Botuesi boton veprat e Barletit, ndërsa ky vetë ishte dërguar në një kishë të Viçençës si prift. Mësojmë më tej se pas Barletit e Bernardino Vitalit, është një studiues ende më i madh, është një personalitet i madh i kohës, një humanist që quhej Girolamo Donatto. Donatto atë kohë, dërgohet në Romë si ambasador i Venecias nga Papa. Në Romë, e ndjekin si botuesi edhe Marin Barleti, ndaj edhe historia e Skënderbeut u botua në Romë më 1510.

Ka një udhëtim përmes studimesh. Tani këtë po ta them në dy minuta, por janë muaj e muaj punë, që të arrihej deri te ky moment.

Është një rindërtim (i mundimshëm)i historisë që të bën të kuptosh se si u shkrua vepra e Barletit.

– Këta emigrantë e humbën identitetin e tyre; pse?

(Në fund të 20 viteve studime mbi Shqipërinë, Nadin flet për një ‘Shqipëri’ që hynte në mitin venecian. Ajo thotë se si Venecia dhe Roma(pra Papa), i janë referuar Shqipërisë për të treguar në një mënyrë rolin që ajo ka pasur si tokë që mbrojti krishterimin dhe gjithë Perëndimin. Qe në këtë vazhdë që ajo u ndal pak javë më parë, edhe te miti i Zojës së Shkodrës, një kult që sipas saj, në dokumente del të jetë përhapur në Itali nga një prift shqiptar).

Më lejoni t’ju them si fillim se unë nuk isha marrë me mitin e Zojës së Shkodrës, deri para disa muajsh që ma kërkoi Dom Artur Jaku. Sa i takon mitit të Zojës, ka shumë gjëra që ende nuk i kam të konfirmuara me dokumente. Ndërsa mbi emigracionin shqiptar në Venedik, problemi është se është folur gjithnjë për shqiptarët që emigruan në jug të Italisë, arbëreshët pra. Ndërsa historia në veri të Italisë, është tjetër. Venecia ishte qendër tregtie. Ata që vinin ishte tashmë ndërmjetës të Venecias. Kishte marrëdhënie mes shqiptarëve (arbërve) e venecianëve në Mesjetë, e kur më pas Skënderbeu vdes, e qytetet bien, si edhe Shkodra, Venecia hap dyert për të gjithë ata që donin të shkonin, duke qenë mirënjohës për rolin dhe besnikërinë. Pati një politikë pritjeje, një politike integrimi, për ç’arsye në 3-4 breza, të gjithë marrin ‘nënshtetësinë’ (veneciane). Dhe kështu, ata e humbën atë identitetin që mund të quhej shqiptar, i cili u ruajt në jug te arbëreshët, edhe sepse ishte një realitet ekonomik krejt ndryshe. Në Venecia, merreshe me tregti dhe shqiptarët aty u asimiluan.

– A identifikohen sot shqiptarë të asaj kohe që jetojnë në Venecia?

Disa, vetëm nga mbiemrat. Ka mbiemra Scutari, që është i gjendshëm në Venecia. Venecia ishte ndryshe nga jugu, ishte ndryshe nga stili disi feudal i Napolit.

(“Sa herë gjurmët e qytetërimit evropian gjenden në Shqipëri, një horizont i ri reflektimi hapet, por sa herë qytetet simbol të qytetërimit e përparimit artistik janë gdhendur nga duart e artistëve shqiptarë, të gjithë horizontet ngarendin tek një shpirt artistik që mishëron populli ynë”. Dom Artur Jaku, famullitar i Katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër, sjell imazhe të veprave të realizuara nga skulptor arbër në Venecia shumë motmote më parë, vepra që kanë kaluar tangent nga vëmendja jonë, anipse, Luçia Nadin i ka përmendur në disa dalje të saj para mediave a para studiuesve tanë.

“Venediku ishte kryeqyteti ku ishin drejtuar sytë gjithë interes të zonës përreth, veçanërisht për sektorin e arteve figurative, ku skulptori dhe gdhendësi në dru më i madh në Venedikun e kohëve të Rilindjes, ishte shqiptari që për shumë kohë ishte neglizhuar si ‘veneciani’, Pal Kampsa (Kamsi)”, shton Dom Artur Jaku. Sipas tij, këto vepra arti “gjurmë shqiptare” gjenden edhe sot në kisha të ndryshme ne Venezia, Padova, Vicenza etj”. Duke bërë një paralelizëm mes kohësh, vendesh e kujtesash, diku të bartura e diku të lëna në harresë, famullitari i Shën Shtjefnit shënon se “Venediku flet shqip, aq sa Shkodra kuadri i Zojës së Shkodrës flasin për ndikimin Venecian”. Përkrah këtij shënimi që hedh dritë mbi Kamsin (në dokumente del Kampsa) Dom Arturi, sjell edhe disa imazhe të veprave të skulptorit, që gdhendi ‘shpirtra’ e figura, me dashurinë e një artisti). Mandej, Luçia Nadin shton si më poshtë. Mandej, Luçia Nadin shton si më poshtë.)

Ai lind në Venecia si fëmijë emigrantësh. Veprat që kanë mbijetuar, janë të një vlere të shkëlqyer. Janë në Venecia, në rajonin e Venettos, janë në Istria. Që kur kam publikuar të dhënat për të, a mendoni ju se ndokush nga Shqipëria është interesuar për të ardhur e për të parë në Venecia këto vepra të këtij skulptori që mbase duhej të ish krenaria e Shqipërisë? Ishte një bir emigrantësh, u bë skulptori më i madh i Rilindjes në Venecia. “Këto vepra arti ‘gjurmë shqiptare’ gjenden edhe sot në kisha të ndryshme në Venezia, Padova, Vicenza”, shton Dom Arturi.

Gjurmë që (po) fshihen

Nadin përmend një sërë emrash shqiptarë, që në pikturë a skulpturë, në dokumentet që ajo ka hasur dalin të jenë shqiptarë të Venecias që në Mesjetë qenë emra mes anonimësh. “Shqipëria është pas pikturave të një prej piktorëve më të njohur në të gjithë botën”, thotë ajo, me keqardhjen e gjurmëve të gjetura që po zbehen e fshihen. “Mbase kur të vdes unë”, shton ajo, “do vijnë të interesohen për shqiptarët e Venedikut, e do vijojnë studimet”.

Shprehet e gatshme të vijë në Shqipëri e të japë leksione për gjithë ç’ka mësuar nga arkivat veneciane ose t’i lërë diku për ditën që do duhen. “Nuk kam kërkuar kurrë asnjë para. Më jepni një krevat për të fjetur e kaq. Askush nuk është shqetësuar për të përdorur gjithë punën që unë kam bërë vetëm për të njohur të shkuarën tuaj”. Mohon madje, të ketë marrë “qoftë edhe dy lekë” për botimet e bëra në Shqipëri, mbi Arbërinë e arbrit në shekuj.

“Librin e parë e botova falë një grupi të Universitetit të Firences që punonte me Shqipërinë. U dhashë tekstin dhe e botuan. Tani, nëse unë e dua prapë tekstin, për t’ua shpërndarë miqve, duhet ta blej”. Edhe për librin e dytë mohon të jetë paguar.

“Unë nuk kam marrë para, por as nuk kam para të paguaj botimin, unë bëj punën shkencore. Nuk kam pasur kurrë shumën e parave që kanë akademikët e diplomatët. Nuk kam bërë punë për arsye financiare. Kam 20 vite që i them kujtdo që takoj: kujtohuni që mbase do u lini fëmijëve xhepat plot me para, por do u lini kokat bosh. Pa kulturë, nuk mund ta bësh historinë e një vendi, një vend duhet të ketë historinë e tij. Nuk mjafton të lësh vetëm plazhin e bukur, sepse pas atij plazhi duhet të jetë Butrinti, e pas Butrintit duhet të jetë një histori. Mësojani fëmijëve atë. Nëse e çoni fëmijën në Shkodër, duhet ta dini çfarë është Shkodra”, e sipas saj Shkodra dihet më mirë ç’është, përmes Statuteve.

Për Nadinin, një qytet nuk mund të jetë i tillë pa historinë që i paraprin.

Vetë ajo, ka botuar “Shqipëria e rigjetur”, “Shqiptarët në Venedik. Mërgim e integrim 1479-1552”, apo esenë “Gjergj Kastriot Skënderbeu në Venecia”, ku për herë të parë njihet prania e një statuje që përfaqëson Skënderbeun në mjetin lundrues mitik venecian.