Kulturë

Universi në realitetin virtual, sfida e të rinjve në “Anibar”

Descriptive Text

Pejë, 17 korrik – Edicioni i dhjetë i “Anibarit” ka bërë bashkë disa të rinj për të mësuar më shumë për teknikën VR (Realiteti virtual) të animacionit. Nën mbikëqyrjen e ligjërueses Mari Jaye Blanchard, këta të rinj janë duke mësuar një teknikë, e cila së fundi ka filluar që të zhvillohet edhe në botë. Të rinjtë shqiptarë që janë pjesë e kësaj punëtorie janë në hap me të ardhmen sa u përket realitetit virtual dhe animacionit.

Ari Zharku, 21 vjeçar, i cili studion pikturë në Universitetin e Prishtinës, ka krijuar një lidhje edhe me animacionin. Ai së fundi ka qenë pjesë e studentëve të cilët kanë ndjekur ligjëratat në Akademinë e Animacionit në Prishtinë, e cila ka filluar në shkurt e ka përfunduar në korrik të këtij viti. Tani ka ardhur në Pejë, për të ndjekur edicionin e 10-të të “Anibarit”, por edhe për t’u bërë pjesë e punëtorisë.

“Përveç faktit që jemi duke mësuar teknologjinë VR, jemi duke mësuar edhe animacionin, ilustrimin dhe krijimin e veprave artistike përmes këtij mediumi. Një hap drejt së ardhmes. Është shumë interesante të jesh në mes të së shkuarës dhe të së ardhmes, dhe të shohësh metamorfozën e teknologjisë”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Kaltrina Berisha kontaktin e saj të parë me animacionin e ka pasur në vitin 2015 kur ishte bërë edhe vullnetare e “Anibarit”. Pas kësaj ajo ka vazhduar që të jetë pjesë e punëtorive të cilat kanë qenë të përshtatshme për moshën e saj. “Kam pasur dëshirë që të marr këtë zanat”, ka thënë Berisha. Ajo ende vazhdon që të ndjekë ligjëratat dhe punëtoritë e ndryshme të cilat realizohen nga “Anibari”, duke mësuar më shumë për gjërat të cilat ajo nuk i ka pika të forta në këtë fushë.

Trajnerja Mari Jaye Blanchar është e njohur për realizimin e filmave të shkurtër të animuar, të cilët janë shfaqur në festivale të ndryshme në Annecy, Melbourne dhe Berlin.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")