Kulturë

Çitaku, Jupolli e Durmishi me çifteli dhe okarinë më 15 maj në Paris

Kur flasim për muzikë padyshim që nuk mund të vëmë asnjë kufi. Kështu na ndodhë kur flasim edhe për muzikën e muzikantes kosovare Erëmira Çitaku. Viti 2016-të, solli shumë koncerte të kësaj muzikanteje që erdhën në bashkëpunim më Luan Durmishin dhe Liburn Jupollin. E ky bashkëpunim do të vazhdoj edhe sivjet, por jo në Kosovë. Destinacioni i koncertit të radhës së treshes Çitaku, Durmishi e Jupolli do të jetë Parisi.

Fillimisht bashkëpunimi i këtyre artistëve nisi me projektin “Shtëpia e qenies” apo “House of being”, vazhdoi me “Etno muzikë e re” e deri tek “Balarmi”. Ndërsa projekti i fundit i artistëve është “HyperCreation”, i cili bashkë me “Shtëpia e qenies” dhe “Etno muzikë e re”, do të prezantohen në Paris, pikërisht në Center de Recherche Interdisiplinaire, më 18 maj. Për të treguar më shumë rreth këtyre projekteve për KultPlus, foli vetë Erëmira Çitaku, që është edhe ideatorja e tyre.

“Ne me Liburnin dhe Luanin kemi nis bashkëpunimin shumë më herët, do të thotë që nga projekti që ka qenë “Shtëpia e qenies” ose “Hous of being”, dhe unë kam përdorur tekste të autorit që e ka shkruar këtë vepër. Ky projekt është realizuar vitin e kaluar njëkohësisht me dy projektet e tjera “Muzikë e re Etno” duke përdorur teknologjinë e re muzikore, duke futur aty elemente të ndryshme që e zhvillojnë tingullin në forma të ndryshme dhe “HyperCreation” është projekti i fundit i realizuar ku në të gjitha këto projekte kam bashkëpunuar me Liburnin dhe Luanin, ku këto planifikojmë që gjatë vitit ti incizojmë edhe në studio si CD pra audoi CD”, tregoi për KultPlus, Çitaku e cila vazhdoi tutje të tregoj se kjo lloj shkolle ku do të prezantohen me këtë koncert merret me kombinimin e shumë arteve që edhe vetë muzikantja i përdorë në muzikën e saj, siç janë videot, pikturat, muzika e kështu me radhë.

“Në këtë shkollë është një publik i cili i përputhet punës që unë e kolegët e mijë e bëjnë, kështu që është një bashkëpunim shumë i mirë. Është e rëndësishme të prezantohet ky lloj arti që mund të quhet kombinim i arteve të ndryshme”, pohoi artistja.

Ashtu siç e përmendëm, Çitaku, planifikon që këto projekte të saj ti arkivoj në një CD, dhe pritet që pas përfundimit edhe ti promovoj jo vetëm në Prishtinë por edhe në vende e tjera përtej kufijve. Ajo për KultPlus, tregoi për të gjitha konceptet e projekteve të cilat do të prezantohen në Paris, ku për zhvillimin e këtyre koncepteve ka punuar edhe Labinot Kelmendi.

“Pjesë nga veprat në “HyperCreation”, ku përfshihen gjithashtu përveç muzikës edhe video, 3D punim, fotografi etj. Duke u bazuar në besimin e komunikimit ndërnjerëzorë në raport mes muzikës dhe gjuhës, konstituon vepra e përmbledhur me emrin Trekand’shi e cila përfshinë materialet e përpunuara në 3 audio CD. “Shtëpia e Qenies”, është inspirim nga filozofi gjerman Martin Heidegger, që “Gjuha është shtëpia e Qenies” më intrigoi që ta bëj një zhvillim dhe improvizim konceptual i cili paraqet edhe natyrën e muzikantit duke e formuluar titullimin më tutje “ Muzika është shtëpia e Qenies””, theksoi Erëmira, e cila vazhdoj tutje të flas për “Etno muzikë e re”, që sipas saj, ka të njëjtat teknika të zhvillimit të materialit, por ato tani komunikojnë me melosin etno shqiptar dhe përdorimi i instrumenteve folk. Ndërsa “Balarmi”, paraqet po të njëjtën teknikë të zhvillimit muzikorë por tema është tjetër.

“Ndoshta, këto edhe e përmbushin kushtin estetik, në çka unë besoj. Kjo është magjia mistike e jetës dinamike që e determinon qenien sot”, tha ndër të tjera Çitaku.

Parisi tre artistët i pret më 15 maj. Erëmira Çitaku i tha KultPlusit se atje do marrë edhe çifteli me vete dhe okarinën. Do bëhet një kombinim mjaft interesant dhe shumë i nevojshëm, pasi që, siç tha edhe Çitaku, ajo e ndjen të nevojshme që t’i përfshijë elementet që e përfaqësojnë identitetin kosovar dhe shqiptarë. Krejt për fund, përveç sallës që është e siguruar në Paris, Çitaku, nuk deshi të përmend ndonjë përkrahje tjetër, pasi që, sipas saj është ende herët. Por që padyshim që pret përkrahje institucionale për këtë projekt madhor.