Kulturë

Grill: Letërsia nuk është duke u komercializuar

Shkrimtarja e përkthyesja austriake Andrea Grill konsideron që letërsia nuk ka nisur të komercializohet. Në këtë rast ka përmendur industrinë e kinematografisë. Ka thënë se në Austri ka shtëpi të vogla botuese, të cilat mbështeten nga shteti që të mbijetojnë.

Sfidat e letërsisë, përkthimet, kërkesën e lexuesit gjermanofolës për letërsinë shqipe, kanë qenë disa nga temat që ka prekur Grill në një diskutim në qendrën “Multimedia” në Prishtinë, shkruan sot “Koha Ditore”. Ajo është shkrimtarja e radhës, e cila po qëndron në rezidencën për shkrimtarë “Prishtina nuk ka lumë”. Grill ka thënë se ka interesim për përkthimin e letërsisë shqipe për gjermanofolësit.

“Nuk është se nuk ka interesim dhe përkthehet më shumë sesa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por jo mjaftueshëm”, ka thënë ajo. Sa i përket interesimit për të lexuar vepra shqipe nga gjermanofolësit, ka thënë se nuk është as i theksuar kur krahasohet afërsia gjeografike e shteteve.

Grill, që ka lindur në Bad Ischl të Austrisë dhe ka studiuar në Salzburg, është përkthyese e njohur e veprave shqiptare në gjuhën gjermane.

Të hënën ka thënë se i pëlqen të përkthejë më shumë poezi sesa prozë. Këtë ka thënë se e bën pasi poezitë janë më të vështira për t’i përkthyer dhe e sfidojnë më shumë. Përkthyesja e veprave të Jeton Nezirajt, Luljeta Leshanakut, Ervina Halilit, Albana Shalës e Mimoza Ahmetit, ka thënë se ka dallime gjuhësore midis veprave të shkrimtarëve nga Kosova dhe atyre nga Shqipëria. Sipas saj, përkthyesit duhet ta lënë zërin e autorit në vepër... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.