Ka ndërruar jetë në Lubjanë veprimtari i veçantë i çështjes sonë kombëtare, Gjon Simoni. Ai tash e disa muaj vuante nga një sëmundje e rëndë. Gjon Simoni vdiq sot, pas mesnatës, në një spital të kryeqytetit slloven, në moshën 81 vjeçare.
Ishte njëri nga themeluesit e shoqatës “Migjeni” në kryeqytetin slloven, e cila luajti rol domethënës në përhapjen e të vërtetës në botë për pozitën e rëndë të shqiptarëve në Jugosllavinë e ashtuquajtur socialiste, sidomos në periudhën kur ajo kontrollohej nga nacional-shovinistët serbë, shkruan Koha.net. Gjoni i priu për dy vjet kësaj shoqate, por ishte anëtar aktiv i saj gjatë gjithë kohës që ajo iu kundërvu politikave represive e asimiluese serbe ndaj shqiptarëve.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAi ishte adresë dhe strehë e shumë hallexhinjve që detyroheshin të merrnin botën në sy për të kërkuar shpëtim.
I lindur në Prizren, më 1936, ku kreu gjimnazin, pas luftës do të punësohej në Radio Prishtinë, ku u dallua jo vetëm si folës shumë i mirë, por edhe si gazetar për çështjet e kulturës. Por rrethanat ideopolitike e sociale e detyrojnë të lë këtë profesion dhe të vendoset në Slloveni, ku kaloi dyzet vitet e fundit të jetës. Atje, krahas punës si argjendar, u mor me çështjet e shqiptarëve jo vetë në këtë republikë, por edhe më gjerë. Kishte kontakte të rregullta dhe të frytshme me liderët e “Pranverës sllovene”, të cilët demaskuan në mënyrën më të mirë realitetin e “vëllazërim-bashkimit të kombeve e të kombësive” në Jugosllavi. Kishte merita për vendosjen e lidhjeve midis lëvizjes kombëtare në Slloveni me atë të shqiptarëve në Kosovë para shkatërrimit të Jugosllavisë, por edhe pas zhbërjes së saj.
Kur Sllovenia u shkëput nga Jugosllavia dhe pas luftës që bëri Mbrojtja Territoriale Sllovene kundër Armatës Popullore Jugosllave, kur ajo përfundimisht u dëbua nga kjo republikë, ai u ndodh në anën e ushtarëve shqiptarë , të cilët braktisën APJ-në, ndërsa zyrat e Shoqatës “Migjeni” u kthyen në shtëpi të dytë për ta. Në saj të angazhimit të tij dhe lidhjeve që kishte krijuar më përpara me autoritetet sllovene, mundi t’i pajisë ata me pasaporta që të mund të kërkonin strehim në vendet e perëndimit. Një numër i tyre më vonë që të ktheheshin në frontin e luftës në Kosovë.
Ishte jo vetëm ideator, por edhe financues i botimit të revistës “Alternativa”, e cila për një kohë qe jo vetëm burim për informimin e opinionit mbi pozitën e shqiptarëve, por edhe frymëzuese për rezistencë.
Për veprimtarinë e tij ai u nderua me mirënjohje nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë.
Varrimi i tij do të bëhet në Lubjanë.