Kulturë

Shqipëria e Serbia, me marrëveshje kulturore në konferencën pa Kosovën

Tiranë, 23 shkurt - Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro-Furxhi, dhe homologu i saj nga Serbia, Vladan Vukosavleviq, kanë hedhur firmat në një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e kulturës midis dy vendeve. Këtë e kanë bërë në kuadër të konferencës dyditore “Nxitja e kulturës për zhvillim të qëndrueshëm”, që ka përfunduar të mërkurën në Tiranë, pasi Shqipëria sivjet kryeson Këshillin e Ministrave të Kulturës për Evropën Juglindore, këshill ky anëtar i të cilit nuk është edhe Kosova. Ani pse ishte ftuar në cilësinë e vëzhguesit, ministri i Kulturës i Kosovës, Kujtim Shala, nuk ka marrë pjesë. MKRS-ja të mërkurën vonë nuk ka dhënë sqarime në lidhje me mospjesëmarrjen, përderisa e ka konfirmuar se është ftuar.

Ministrat e Kulturës së shteteve si Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia, Turqia dhe Maqedonia janë bërë bashkë në kryeqytetin shqiptar që të shikojnë mundësitë e bashkëpunimit ndërshtetëror, përderisa në konferencë, UNESCO-ja, Komisioni Evropian dhe Këshilli i Evropës kanë marrë pjesë në cilësinë e vëzhguesit.

Nënshkruesit e marrëveshjes midis Shqipërisë e Serbisë e kanë cilësuar atë si historike.

Kumbaro-Furxhi dhe Vukosavleviq, janë pajtuar për bashkëpunimin kulturor midis institucioneve dhe organizatave të ndryshme të të dyja vendeve, në shkëmbimin e përvojave dhe realizimin e politikave në art, kulturë dhe trashëgimi kulturore. Ministri serb, Vukosavleviq, e ka vlerësuar marrëveshjen “si një moment historik për bashkëpunimin kulturor mes vendeve”. Ka shprehur vullnet të plotë për të mbështetur maksimalisht çdo nismë kulturore mes dy vendeve.

Ministria e Kulturës e Kosovës, qysh më 2013, kishte shfaqur shpresën që së shpejti të bëhej anëtare e Këshillit të Ministrave të Kulturës për Evropën Juglindore (Council of Ministers of Culture of South East Europe - CoMoCoSEE). Në prill të atij viti, ministri i atëhershëm i Kulturës, Memli Krasniqi, ishte ftuar të merrte pjesë në konferencën e mbajtur në Bërdo të Sllovenisë. Do të merrte pjesë në cilësinë e vëzhguesit dhe do të ngrinte çështjen e anëtarësimit (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.