Kulturë

Gati për Bienalen e Venecias

Kanë mbetur vetëm edhe katër ditë deri te hapja zyrtare e Pavijonit të Republikës së Kosovës në Bienalen e Venecias 2017. Hapja do të bëhet më 11 maj, në ora 11:00.

Është këtë herë, artisti me renome botërore Sislej Xhafa ai që përfaqëson shtetin kosovar me veprën “E humbur dhe e gjetur”.

Pak ditë para kësaj ngjarje, kuratorja e Pavijonit të Kosovës, Arta Agani, është shprehur e entuziazmuar për punën që do të shfaqin, teksa tregoi se këto ditë po merren me finalizimin e detajeve.

Agani deklaroi se ka diçka që do ta dallojë punën e Xhafës në këtë ngjarje.

Pak kohë më parë, artisti Xhafa kishte mbajtur një konferencë për media në Prishtinë, ku ishte shprehur se është i nderuar që ka rastin për ta përfaqësuar Kosovën në këtë ngjarje të madhe të artit bashkëkohor.

Ndërkaq, sa i përket përmbajtjes së veprës, ai nuk kishte dhënë asnjë detaj duke dashur që kjo të shihet në hapje.

Xhafa ka qenë pjesëmarrës disa herë në këtë bienale dhe, mes tjerash, në vitin 2005, kishte përfaqësuar Pavijonin e Shqipërisë, ndërkaq në vitin 2013 atë të Italisë. Por, kishte pohuar se përfaqësimi i Kosovës është një sfidë për të.

Kosova kësaj radhe në bienale do të ketë një hapësirë për prezantim prej 84 metrash katrorë dhe është një prej hapësirave kryesore të ekspozitës së përgjithshme. Në edicionin e 57-të të Bienales së Venecias marrin pjesë 80 shtete.

Bienalja do të jetë e hapur për publikun nga 13 maji deri më 26 nëntor 2017. Kosova merr pjesë në Bienalen e Venecias për herë të tretë. Para Xhafës, pjesëmarrës ishin artistët Petrit Halilaj dhe Flaka Haliti.