Instituti islamik i artit në New York mëton të sfidojë stereotipat

Instituti islamik i artit në New York mëton të sfidojë stereotipat

08 maj 2017 15:45

Sheiku Mohammed Rashid Al-Thani e kishte vërejtur që diçka po u mungonte institucioneve kulturore në New York – aty ishin një Institut Zviceran, Shoqëri Aziatike dhe një Muze Hebraik - por deri më tani s’ka pasur asgjë që përfaqëson artistët arabë myslimanë.

Al-Thani, i cili është pjesë e familjes udhëheqëse të Katarit e ka hapur javën e kaluar Institutin e parë të artit arab dhe islam në New York. Kjo hapësirë do të jetë nikoqire e ekspozitave me artistë myslimanë arabë, do të nxisë dialogun ndërfetar me diskutime publike dhe do të jetë shtëpi e një librarie të re.

Sipas Al-Thanit, i cili është drejtor e themelues, ai ka dëshiruar që të sqarojë disa nga stereotipat myslimanë, transmeton sot “Koha Ditore” shkrimin e Guardianit.

“Nëse bëjmë analiza sesi janë krijuar stereotipa për arabë dhe myslimanë, ato datojnë shumë herët”, ka thënë Al-Thani.

“Sipas meje, ka kuptim që të ketë një institut të artit dhe të kulturës që do të përfaqësojë regjionin arab e islamik, meqë nuk ka pasur një të tillë këtu në New York”.

Me gjithë islamofobinë dhe ndalimin që u ka bërë së fundi Trumpi vendeve myslimane, Al-Thani ka qenë duke punuar për këtë institut qysh prej vitit 2014. Një prej inspirimeve ka qenë “Orientalism”, një libër që flet për stereotipat e Lindjes së Mesme, i shkruar nga kritiku kulturor palestinezo-amerikan, Edward Said më 1978.

“Pavarësisht se a ka qenë një grua ekzotike me rrush, apo perandoria osmane: gjithmonë ka pasur keqkuptime dhe stereotipa që kanë ekzistuar historikisht”, ka thënë Al-Thani.

“Mënyra sesi kanë evoluar historikisht deri tani është bërë më e orientuar politikisht”, ka shtuar ai. Ekspozita e parë e institutit është quajtur “Exhibition 1”, dhe është e një grupi prej katër grash e në të cilën është pasqyruar gjithçka përreth arkitekturës islame dhe dizajnit gjeometrik.

“’Gjeometria e shenjtë’ siç është quajtur shpeshherë, është një traditë islame që daton dy mijë vjet më parë, si një gjuhë universale që mund t’i bashkojë komunitetet e ndara. Objektiva jonë kryesore është t’i sfidojmë stereotipat nëse njerëzit i kanë ato, dhe t’i angazhojmë ato në civilizimin islamik përtej kontekstit religjioz”, ka thënë Al-Thani.

“Jemi me shpresë dhe do të bëjmë gjithçka që mundemi ta shohim se kultura jonë po përfaqësohet dhe të hapim një dialog ndër-kulturor me New-Yorkun”. Artisët që kanë ekspozuar punën e tyre, përfshijnë edhe artisten arabo-saudite, Dana Awartan, e cila ka krijuar piktura me motive të luleve, e që janë ekspozuar përkrah me vepra të artistes iraniane, Monir Shahroudy Farmanfarmaian, e cila kombinon artin tradicional folklorik iranian me abstraktin modern. Po ashtu janë ekspozuar vepra nga artistja indiane me seli në New York, Zarina Hashmi, e cila e ka shfrytëzuar artin dekorativ islamik për të përfaqësuar kufijtë politik dhe Nasreen Mohamedi, një artiste pioniere indiane e cila ka ndryshuar fytyrën e minimalizmit.

“Vepra e saj konsiderohet minimaliste, konstruktive, futuriste dhe nuk ngjason me arkitekturën islamike, por në ditarët e saj ajo flet për atë sesi kjo arkitekturë ka pasur ndikim të madh në veprën e saj”, ka thënë Al-Thani.

“Po shpresojmë që njerëzit të shohin përtej asaj që mund të shihet me sy”.

Në New-York, ka galeri arti që fokusohen në artin islam dhe arab, siç është ajo iraniane “Leila Heller’s gallery” dhe “CRG Gallery”, në të cilën palestinezja Mona Hatoum e ka pasur ekspozitën e parë personale në New-York.

“Ka galeri që përfaqësojnë artistët nga regjioni, por a kanë shtëpi institucionalisht?” ka pyetur Al-Thani. Ai e citon “Here and Elsewhere”, një ekspozitë me 45 artistë e hapur në “New Museum” më 2014.

“Këto biseda asnjëherë nuk kanë vazhduar në mënyrë të vazhdueshme dhe shpresojmë që kjo do të ndryshojë”, ka thënë ai. Dhe kjo nuk është përpjekja e parë. Sharif El-Gamal, kishte planifikuar ta ndërtonte qendrën kulturore myslimane më 2010, por kishte marrë kërcënime me vdekje.

“Ka qendra religjioze dhe të komuniteteve në Amerikë, por ato nuk janë për art”, ka thënë Al-Thani.

“New Yorku është vend shumë mikpritës, nëse nuk do ta kisha mbështetjen e qytetit, s’do të mundë ta bëja këtë”. Instituti ndodhet në “3 Howard Street” në Manhattan, një hapësirë kjo e përkohshme deri në fund të korrikut. Më pastaj ose do të mbetet aty, ose do ta ndryshojë lokacionin, varësisht prej fondeve. Familja Al-Thani ka grumbulluar vepra arti arabe me dekada, por kjo s’do të thotë që ata do të paguajnë faturat.

“Shumë njerëz keqkuptojnë kur dëgjojnë mbiemrin tim dhe mendojnë se familja ime e ka financuar këtë projekt”, ka thënë Al-Thani, duke shtuar se “kjo nuk është aspak e vërtetë”. Instituti joprofitabil është themeluar nga një grup i vogël donatorësh nëpërmjet një galaje për mbledhje fondesh që ka pasur nikoqir Al-Thanin.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme