Kulturë

Dita e Evropës sjell sonte në Prishtinë duon pianistike “ARIADITA”

Descriptive Text

Pianistja kosovare që jeton në Austri, Ardita Statovci, do të rikthehet para audiencës së kryeqytetit, me një koncert me rastin e Ditës së Evropës.

E shoqëruar nga zvicerania Ariane Haering, ajo do të interpretojë vepra të kompozitorëve evropianë, amerikanë dhe veprën e një kompozitori të ri kosovar, shkruan sot “Koha Ditore”. Duoja pianistike “ARIADITA”, do të mbajë koncert sonte (e hënë) në Sallën e Kuqe, një ditë para Ditës së Evropës.

Që nga paraqitja e parë në vitin 2015, kjo duo ka qenë në disa turne të suksesshëm koncertal. Është lavdëruar pas transmetimit të koncertit të tyre në kanalin kryesor austriak “ORF/Ö1”, duke u cilësuar si “Duo pianistike e një klasi ekstra”.

Krahas kritikave të shkëlqyeshme në media ndërkombëtare, kompozitori me renome Alexander Müllenbach, ka kompozuar një vepër enkas për duon, e cila u performua me sukses në jubileun e 40-të të Festivalit "Aspekte" në vitin 2016 në Salzburg të Austrisë. Në Prishtinë, pianistet vijnë me një repertor të veçantë.

“Në koncertin që mbahet me rastin e Ditës së Evropës, kemi zgjedhur që të interpretojmë vepra nga kompozitorë botërorë, evropianë, me francezin Francis Poulenc dhe austriakun Franz Schubert, kompozitorin amerikan George Gershwin dhe kompozitorin kosovar të gjeneratës së re, Kreshnik Aliçkaj”, ka thënë pianistja Ardita Statovci. Ajo e ka përshkruar programin duke thënë që u përshtatet të gjitha shijeve... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.