Kulturë

“Anibar” me art përballë shpresës dhe frikës

Dhjetë vjet më parë, një grup artistësh të rinj organizuan festivalin e parë të animacionit në Kosovë. Për këto dhjetë vjet ata e kthyen qytetin e Pejës në kryeqendër të animacionit.

Këtë vit, në edicionin e dhjetë të “Anibar-it”, ky grup synon një ballafaqim me shpresat dhe frikën kolektive ndaj ndryshimeve politike, sociale dhe mjedisore përmes arteve duke nxitur aktivizmin qytetar. Festivali, i cili për temë e ka “ARTivismi: Shpresat dhe Frikat” do të mbahet nga data 15 deri më 21 korrik, shkruan sot Koha Ditore.

Organizatorët e festivalit kanë njoftuar se këtë vit do të ketë: 4 punëtori, 3 masterklasa, mbi 8 prezantime, 4 panele, 3 filma të metrazhit të gjatë të animuar, 244 filma të metrazhit të shkurtër të animuar, 6 programe të kuruara në bashkëpunim me festivale dhe shkolla të animacionit nga e gjithë bota dhe shumë programe të tjera.

Në këtë edicion, të dhjetin me radhë, do të shfaqen 244 filma të animuar, që janë selektuar nga 1 mijë e 223, sa kanë aplikuar. Programet e kuruara nga profesionistë në fushën e animacionit, po ashtu, janë pjesë e “menysë”. Filmat do të shfaqen në kinemanë “Jusuf Gërvalla”, teatrin “Istref Begolli” e në kinematë “Liqeni” e “Kubat”.

Në mesin e filmave janë ata nga Britania e Madhe , Franca, Portugalia, Estonia, Spanja, Kina, Belgjika, Hungaria, Çekia, Estonia, Izraeli, Kroacia, Serbia e vende të tjera. Nga Kosova do të jetë filmi i shkurtë i animuar “N’Kornizë” me regji të Gëzim Ramizit e skenar të Hana Zeqës. Ky film trajton historinë e një djali të ri që jeton në qytetin imagjinar të Prishtinës.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")