Kulturë

244 filma të animuar shfaqen në festivalin Anibar 2019

Nga data 15 deri më 21 korrik mbahet edicioni i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Animuar në Kosovë – ANIBAR, i cili ka për temë “Frikën dhe Shpresën”.

Në këtë edicion, të dhjetin më radhë, do të shfaqen 244 filma të animuar, që janë selektuar nga 1223, sa kanë aplikuar për këtë edicion, si dhe programe të kuruara nga profesionistë në fushën e animacionit.

Filmat do të shfaqen në Kinemanë ‘Jusuf Gërvalla’, Kinemanë e Liqenit, Kinemanë e Kubave dhe Teatrin ‘Istref Begolli’.

86 filma do të shfaqen në kategoritë e Filmit Ndërkombëtar të Animuar; Filmit të Studentëve; Filmave të Ballkanit; Filmave të Animuar Muzikor, si dhe Filmave të Metrazhit të Gjatë të Animuar.

Krahas këtij programi garues do të ketë edhe programe jashtë garës si panorama dhe programi për fëmijë dhe adoleshentë, programe speciale, prezantime, diskutime, panele, master-klasa dhe punëtori.