Kulturë

OVL-ja zbërthen estetikën e “Bordelit...”, dramaturgu i krahason me komunistët

“Estetizim të akuzave të shpifura” e ka cilësuar shfaqjen “Bordel Ballkan” Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tri ditë pasi kreu i saj, Hysni Ngucati, kishte thënë se “po e analizojnë dramën”.

Në “analizën” që është dërguar të premten vonë, OVL-ja ka përmendur se mund të shprehen lirshëm ashtu sikurse kanë vepruar dramaturgu Jeton Neziraj si autor dhe András Urbán si regjisor i shfaqjes, shkruan sot Koha Ditore.

Organizata - anëtarët e së cilës një ditë para premierës javën e kaluar janë denoncuar në Policinë e Kosovës për kërcenim me vdekje ndaj Nezirajt për përmbajtjen e shfaqjes ende pa e parë atë - vlerëson se drama “ka të meta të mëdha në përmbajtje të saj”.

Sipas reagimit, përpjekja për të paraqitur se në Ballkan, në të gjitha ish-republikat dhe krahinat autonome të ish-Jugosllavisë kanë ndodhur dukuri të njëjta, për të thënë se të gjithë kanë bërë krime dhe të gjithë ishin viktima, “i ka futur skenaristin dhe regjisorin në një mision të pamundur dhe kontradiktor e të pasaktë me atë që ka ndodhur gjatë dhe pas luftërave në Ballkan, përkatësisht në ish-Jugosllavi, në këtë ish -burg të popujve”. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.