Kulturë

“AJO” rikthehet në muzikë

Descriptive Text

“Ajo” ishte hiti i saj i publikuar më 2002 dhe pas disa vite jashtë skenës muzikore Vjollca Robelli – Mripa ka vendosur t’i rikthehet muzikës, me disa projekte që tashmë i ka gati.

E rikthimi në muzikë i Robelli – Mripës nuk është e vetmja risi, pasi nga tash ajo do të performojë nën emrin artistik “AJO”, transmeton Koha.net.

Këtë e ka konfirmuar “AJO” përmes një postimi në Facebook, gjersa ka paralajmëruar albumin dhe këngën e saj “Besa”, të cilën thotë se do ta sjellë së shpejti.

Një kohë të gjatë ajo ka jetuar larg vendlindjes, e kjo thotë ta ketë inspiruar që të krijojë muzikë të bazuar në traditën e kulturën tonë.

“Jam shumë e lumtur ta ndaj me të gjithë lajmin që po kthehem në skenë si ‘AJO’, pas dy vitesh pune në albumin tim. Duke jetuar larg vendlindjes për së paku 15 vjet, kam arrit me e çmu ma shumë prejardhjen time dhe kjo më ka ndihmu e inspiru që të krijoj muzikë bazuar në kulturën dhe traditën tonë”, ka shkruar Robelli – Mripa.

E rikthimin e saj u dedikon 4 fëmijëve të saj, të cilëve dëshiron t’ua përcjellë trashëgiminë e saj.

“Meqenëse jam ba nanë e 4 fëmijëve, dua që trashëgiminë time fillimisht me ua përcjellë atyre e pastaj edhe botës, e ku ka mënyrë më të mirë se përmes muzikës. Më vonë gjatë këtij muaji, 20 vjet pas luftës, do të sjell për juve, këngën time ‘Besa’. Ma shumë lajme për këngën por edhe muzikën time në përgjithësi, do të ketë së shpejti”, ka shkruar “AJO”.

Për Koha.net Robelli – Mripa ka thënë se tashmë janë në fazën finale të përfundimit të albumit, derisa ka bërë të ditur se “Besa” do të jetë edhe me videoklip.

“Javën tjetër do të mblidhemi me të gjithë muzicientët nga vende të ndryshme të Evropës, me të cilët kam punuar për albumin tim. Do të mbajmë provat finale para se të hyjmë në studio për ta miksuar albumin. Emra të njohur në industrinë e muzikës do të bëjnë miksimin dhe masterizimin e albumit, e të cilët do të zbuloj më vonë”, ka thënë “AJO” për Koha.net.

AJO thotë se në fund të këtij muaji planifikon të sjellë videoklipin e “Besa”.

“Javën tjetër do të xhirojmë videon e këngës ‘Besa’ me regjisoren e njohur austriake Astrid Steiner, e cila punon për produksionin anglez në Londër ‘Chrome’”, thotë AJO, gjersa shton se është shumë e lumtur që po i ndan këto prodhime të reja muzikore pikërisht në qershor, në 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës.