Kulturë

“Hyjnesha në fron” për traditë e trashëgimi

Foto: Koha

Njëri prej artefakteve më të njohura të Kosovës, Hyjnesha në fron, është si pikënisje për të thurur mesazhe e shenja të trashëgimisë kulturore. Në format e saj, të rinj nga komunitete të ndryshme kanë lënë kujtimet e histori personale e familjare.

“Hyjnesha në fron” është titulli i ekspozitës që u hap të enjten mbrëma në hollin e bibliotekës kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”, shkruan sot “Koha Ditore”. Ajo simbolizon edhe bashkëpunim e mirëkuptim. Motive nga etnologjia, punëdore e elemente të zejeve, zënë vend në hyjnesha formatesh të ndryshme në këtë ekspozitë, organizuar nga qendra për art dhe komunitet “Artpolis”.

“Ky instalacion është si proces i një punëtorie pesëditore që është mbajtur në fshatin Kukaj. Fillimisht ideja ka qenë të promovohet roli i grave në trashëgiminë kulturore”, ka thënë Skënder Podvorica nga kjo organizatë. Projekti i financuar nga UNDP-ja ka pasur pesë faza.

“Ka filluar me fazën e parë, ku ka qenë takim dhe njoftim me të rinjtë, i cili është mbajtur në Komunën e Gjakovës, në Prishtinë, Mitrovicë të Veriut dhe në Gjilan. Të rinjtë kanë takuar zanatlinj të vjetër dhe kanë marrë prej tyre informata për zejet që janë në zhdukje”, ka thënë ai. Faza tjetër ka qenë shkrimi i eseve, përderisa i gjithë procesi është xhiruar dhe do të shërbejë për film dokumentar.

“Mandej ka vazhduar me hapjen e thirrjes për instilacionin artistik, puna e cila është shfaqur këtu”, ka thënë ai.

Instalacioni është konceptuar nga artistja Arjeta Miftari.

Zana Hoxha-Krasniqi, udhëheqëse e “Artpolisit”, ka thënë se qëllimi kryesor i projektit është promovimi i trashëgimisë kulturore, të qasshme për të rinj.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)