Kulturë

Sot hapet panairi i librit, rreth 100 botues sjellin mbi 1500 tituj të rinj

Sot hapet panairi i 21-të i librit “Prishtina 2019” që do të mbahet deri më 9 qershor në ambientet e Pallatit të Rinisë, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës.

Në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, panairi i 21-të i librit është pjesë e 20 aktiviteteve kulturore, sportive e inovative për përkujtimin e 20 vjetorit të çlirimit të qytetit të Prishtinës.

Ceremonia e hapjes do të bëhet sot në orën 12:00, ndërsa do të qëndrojë i hapur për vizitorë nga ora 09:00 deri në ora 20:00.

Pritet të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora, ndërsa numri i titujve të rinj vlerësohet të jetë mbi 1500 të tilla. Numri i titujve të viteve të fundit është rreth 5500.

Këtë vit, Botimet KOHA vijnë me nëntë vepra të reja në Panairin e librit.

LEXO EDHE: Botimet KOHA me nëntë vepra të reja në Panairin e librit

Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40000 vizitorë, kryesisht studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës.