Kulturë

Protesta dhe përpjekje për pengesë të mbajtjes së festivalit “Mirëdita, Dobar dan” në Beograd

Nën masa të rrepta sigurie dhe me protesta që synonin parandalimin e aktiviteteve, në Beograd ka nisur edicioni i gjashtë i festivalit “Mirëdita, Dobar dan”, raporton KTV .

Rreth 50 protestues ishin mbledhur dhe kanë tentuar ta kalojnë kordonin e policisë për ta penguar mbajtjen e festivalit që ka për qëllim ta përdorë artin për thyerjen e barrierave ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Nën brohoritjet e protestuesve serbë në afërsi të Qendrës për dekontaminim kulturor në Beograd, artisti Shkumbin Tafilaj ka prezantuar instilacionin “Le të bëjmë dashuri”, nëpërmjet të cilit eksploron plagët e së kaluarës.

“Mirëdita, dobar dan”, tash e gjashtë vjet, dërgon në kryeqytetin serb vepra arti nga Kosova, me qëllimin që të shkëmbehen ide artistike ndërmjet krijuesve nga Kosova dhe atyre nga Serbia.

Këtë ide e përkrah edhe lideri liberal serb Çedomir Jovanoviq, i cili për Kohavisionin ka thënë se është kundër atyre që vendosin barriera në zhvillimin e këtij festivali.

Njësitet e Policisë së Serbisë janë duke mbajtur në vazhdimësi sigurinë e ekipit dhe pjesëmarrësve në aktivitetet e festivalit.

Në natën e parë të “Mirëdita, Dobar dan” u shfaq filmi “Nëntor i ftohtë”, i cili pasqyron kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë.

Gjatë hapjes së festivalit, me një minutë heshtje u nderua dramaturgu Petrit Imami, i cili vdiq të mërkurën.

Në natën e dytë të festivalit, për herë të parë për publikun serb, do të shfaqet dokumentari “Ferdonija”, i realizuar nga Gazmend Bajri, e i cili rrëfen historinë e gruas që humbi familjarët e saj gjatë luftës së fundit në Kosovë.