Kulturë

Petrit Çeku, kitaristi virtuoz mes skenave botërore e koncerteve në vendlindje

Virtuoziteti dhe ndjesia që krijon kur interpreton me kitarë, i ka bërë vend në skenat më prestigjioze të botës.

Viteve të fundit, kitaristi Petrit Çeku u bë mik i festivaleve shqiptare. “ReMusica” e ka rikthyer në vendlindje për një udhëtim të veçantë muzikor.

“Trio Elegio”, u themelua nga Petrit Çeku, Pedro Rodrigues e Tomislav Vukshiq. Të tre kitaristët i bashkoi dëshira për t’i interpretuar vepra që janë të pamundshme të luhen me vetëm një kitarë. Në Prishtinë, kjo trio e sjell versionin me kitarë të “Sonatës” së njohur të Mozartit, raporton “Express” i KTV-së.

Karriera e tij shtrihet në më shumë se dy dekada, por koha nuk ia ka zbehur entuziazmin e as dëshirën për të treguar rrëfime nëpërmjet muzikës.

Të shumta janë interpretimet e Çekut që mbetën në kujtesën e audiencës, por një bashkëpunim me violonçelistin kroat Stjepan Hauser, u bë viral dhe mori vëmendje të madhe.

Instrumentisti i grupit të njohur “2 Çellos”, pas koncertit të mbajtur në Zagreb në vitin 2017, tha se “bota ndaloi derisa po luaja në koncert, me të mrekullueshmin Petrit Çeku”.

Një anë tjetër e Petrit Çekut u shpalos në “Sarabande” me regji të Kaltrina Krasniqit, që u bë pjesë e festivaleve ndërkombëtare. Dokumentari i realizuar në formën e një udhëtimi intim me kitaristin, e shpërfaq edhe lidhjen e tij me Kosovën.

Tri koncerte të veçanta e presin Petrit Çekun, pas atij në Prishtinë. Njëri prej tyre do ta shënojë një datë të veçantë.

Petrit Çeku, në muajin qershor, rikthehet para audiencës shqiptare me koncert në “Albania Guitar Festival”.