Kulturë

Strip-artisti që eksploron botën

Tom Kaczynski ishte 7 vjeç kur vizatoi ilustrimin e tij të parë. I kishte pëlqyer gjithmonë të shfletonte stripa dhe kur u dashurua në këtë medium nuk u nda më prej tij. 

Mundësitë që ta ndiqte më seriozisht këtë fushë iu dhanë, meqë familja e tij migroi nga Polonia në SHBA, kur ai ishte 12 vjeç. 

Meqë kjo lloj industrie në SHBA është aq e zhvilluar, Kaczynski e vlerëson se thjesht të jetuarit atje i jep mundësi ta eksplorojë veten gjithmonë e më shumë në këtë fushë kaq të dashur për të, shkruan sot Koha Ditore.

“Në SHBA ka një skenë të rëndësishme të stripave, një lloj ‘Do It Yourself (Bëje vetë)’, ku njerëzit krijojnë stripat e tyre, të lira, në makina kopjimi dhe i shesin ato me çmim të lirë, i shkëmbejnë me njëri-tjetrin”, thotë ai. 

Frymëzimi i tij janë vetë stripat, ideja e krijimit të tregimeve me fjalë dhe fotografi. I interesuar të eksplorojë tema më të thella politike e filozofike, në formë të ilustrimeve, ai përpiqet të shtyjë kufij të ndryshëm duke kombinuar tematika të shumëllojshme në një mënyrë të re të të menduarit. Ai ka të përfunduar shkollim për arkitekturë. 

Ka punuar edhe si disenjator grafik për internet, prandaj është shumë i afërt edhe me teknologjinë. I pëlqen të lexojë shumë filozofi. 

“Duke kombinuar disiplina të ndryshme, me imazhe dhe me fjalë, nuk jam i interesuar thjesht të tregoj histori, dua të jetë më shumë se kaq”, shprehet Kaczynski. 

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)