Kulturë

Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Venecias ndër 10 më të mirët

Kosova është prezantuar në Bienalen e sivjetme të Venecias me një vepër që rikthen imazhet e fuqishme të luftës, imazhe që u shpërndanë gjithandej nëpër media botërore dhe u bënë sinonim i dhimbjes dhe i sakrificës së refugjatëve.

Në hapësirën ekspozuese në Arsenale të Venecias, artisti Alban Muja përmes videoinstalacioneve ka zbërthyer prapaskenat e tri imazheve të shkrepura në kohë lufte, ku bëjnë pjesë katër personazhe dhe një përjetim personal i vetë artistit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Fotografia e nënës nga Kosova me foshnjën në duar u pa gjithandej nëpër mediat më me nam nëpër botë, dhe nëna Sherife Luta me vajzën e saj u shndërruan në simbol të luftës e sakrificës. Jo më pak e njohur është fotografia e babait të përlotur që mban në dorë fotografitë e dy fëmijëve të tij, për të cilët nuk e di se a janë gjallë, dhe ajo e djaloshit mes telave të hekurt, të cilin e bartin familjarët nga njëra anë në tjetrën.

Por Muja pikënisje të projektit artistik ka pasur një fotografi të veten si refugjat, në të cilën shihet në afërsi të ish-kryeministrit spanjoll Jose Maria Aznar.

E krejt këtë projekt artistik, ueb-faqja “Artsy” e ka vlerësuar në mesin e 10 më të mirëve të Bienales së sivjetme të Venecias.

Në përshkrimin e Pavijonit të Kosovës, kryeredaktorja e “Artsy”-t, Casey Lesser, thotë se gjatë luftës së Kosovës më 1998–99, fotografi të fëmijëve refugjatë u bënë fytyra e konfliktit, teksa ato u botuan nëpër gazeta në mbarë botën. Njëzet vjet më pas, artisti Alban Muja—i cili edhe vetë ishte fëmijë refugjat gjatë luftës – i gjeti fëmijët që gjendeshin në disa prej këtyre fotografive të famshme dhe i kapi tregimet e tyre. Në Pavijonin e Kosovës ai shfaq tri video të gjalla, emocionale, që në plan të parë kanë këto subjekte, tani të rritur. Ata kujtojnë rrethanat e fotografive të tyre dhe reflektojnë në ndikimin që imazhet patën në media – dhe në kuptimin e rrjedhës së luftës.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)