Kulturë

“GRANFest” e “Polip” me ekspozitë e lexime ironizojnë politikën

Descriptive Text

Disa nga ilustrimet e romaneve grafike të autorëve më me emër të këtij zhanri kanë hapur edicionin e parë të festivalit “GRANFest”. Ilustrime e personazhe bashkë me tekstin që i shoqëron ato, audiencën e kanë futur në një tjetër rrugë të leximit.

Në atë që shoqërohet me pamje e imazhe të veprimeve. Në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës në Prishtinë, të premten mbrëma, publiku i festivalit të romanit grafik e festivalit ndërkombëtar të letërsisë “Polip” ka pasur një “meny” të gjerë ofertash artistike, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në anglisht, spanjisht e frëngjisht kanë folur personazhe të romaneve grafike. Përderisa në serbisht, shqip e anglisht, autorët e ftuar sivjet në “Polip”. Në hapje të “GRANFest”-it, drejtori i përgjithshëm i këtij festivali, Agron Bajrami, ka thënë se kjo ngjarje si ide ka ekzistuar vite më parë. “Si fëmijë kur kemi lexuar romanet grafike e kemi menduar këtë ditë”, ka thënë Bajrami.

E drejtori artistik i Festivalit, Gani Jakupi, ka thënë se festivali është bërë për publikun dhe prej tij do të varet nëse do të vazhdojë.

“Ambicia është që të përkthejmë më shuam vepra të autorëve të romaneve grafike”, ka thënë Jakupi. E Bajrami ka shtuar se krejt kjo nuk do të ishte e mundshme pa artistët pjesëmarrës. Artistët i ka falënderuar edhe ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert. Ai ka thënë se është kënaqësi të jetë i pranishëm në festivalin e parë të këtij zhanri në Kosovë.

“Ky organizim tregon se Kosova është pjesë e skenës botërore të artit”, ka thënë Chabert. Sipas tij, me ngjarje të tilla dimensioni kulturor i shtetit më të ri të Evropës rritet. Ngjarjet kulturore si “GRANFest” së bashku me artistët pjesëmarrës trajtojnë shumë probleme.

Këtë e ka theksuar sidomos kur ka folur për veprat e artistëve që janë pjesë e këtij edicioni. “Ekspozita është një mesazh artistik”, ka thënë ai.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)