Kulturë

Pianistja e eksplorimeve me tinguj, ligjëruese në Paris

Rea Veizi rrugëtimin e saj në piano e filloi qysh në moshën 6-vjeçare, e ndonëse sot është pianiste shumë e suksesshme që jeton dhe vepron në Paris, ajo me përulësi tregon se pianon e filloi thjesht për të pasur një aktivitet përtej shkollës. 

Me zërin e butë e me delikatesë në shpjegim, Veizi rrëfen se si ky aktivitet jashtëshkollor rezultoi në profesion të saj që sot e bën me shumë dashuri. 

Ajo që për të nisi thjesht si një dëshirë që të mësojë një instrument, të dijë të luajë muzikë, shpejt u shndërrua në pjesë të pandashme të jetës së saj, shkruan sot Koha Ditore.

“Shumë shpejt duke e zbuluar instrumentin, më pëlqeu shumë, u dashurova në të, ndihesha shumë komod, ndihesha që mund të shprehesha nëpërmjet muzikës, nëpërmjet pianos dhe vendosa që ta vazhdoja në formë profesionale”, thotë Veizi. 

Puna e vazhdueshme dhe loja e mirë në piano kanë bërë që gjatë një master klase, ajo të spikatej nga Leonel Morales, pianist i shquar me origjinë kubane, e që jetonte prej më shumë se 20 vjetësh në Spanjë. Ky pedagog vlerësoi talentin e Veizit në piano gjatë kohës sa ajo ishte në gjimnaz, dhe i propozoi që po të kishte dëshirë të vazhdonte për studimet e larta, mund të shkonte në Spanjë që të studionte me të.

Hapja e dyerve jashtë Shqipërisë

Ajo e mori seriozisht këtë ofertë për të cilën pati edhe mbështetjen e prindërve, dhe gjatë vitit të fundit të shkollës së mesme, përgatiti një repertor goxha të madh që duhej për të konkurruar në konkurse të tilla. Konkurroi në Spanjë, në konservatorin “Conservatorio Superior de Castellon ‘Salvador Segui’”, në Valencia, ku zuri vendin e parë. 

Me Moralesin pedagog e udhëzues, ajo përfundoi studimet 4-vjeçare në këtë konservator në vitin 2012...(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)