Kulturë

“Hotel Grandi dhe reportazhe të tjera” në 15 vjet

Autorja Nerimane Kamberi i ka përmbledhur në libër artikujt që i kishte publikuar në një portal frankofon.

Libri “Hotel Grandi dhe reportazhe të tjera” që u promovua të martën në ambiente të Aleancës Franceze në Prishtinë, është finalizim i punës 15 –vjeçare, transmeton emisioni Express në KTV.

Libri përmban reportazhe, intervista dhe analiza të botuara në versionin dygjuhësor shqip dhe frëngjisht.

Me rastin e Muajit të Frankofonisë, Kamberi prezantoi përmbledhjen e artikujve që u referohen momenteve të jetuara dhe janë ngjarje që përbëjnë historinë e një vendi të vogël, të pasur me diversitet kulturor e gjuhësor.

Nerimane Kamberi është ligjëruese e Qytetërimit, gjuhës dhe letërsisë franceze dhe frankofone në Universitetin e Prishtinës. Merret edhe me përkthime dhe bashkëpunon me mediat ndërkombëtare duke kontribuar me artikuj e reportazhe në frëngjisht.

Me rastin e promovimit të librit, u mbajt edhe një diskutim ndërmjet autores dhe lexuesve të pranishëm.