Kulturë

Publikohet Harta Digjitale e pikave me rëndësi të veçantë kulturore e Mitrovicës

Organizata “7Arte” mbajti konferencën “Analizë mbi gjendjen aktuale të Trashëgimisë Kulturore”, që njëherësh shënoi edhe përmbylljen e projektit hulumtues “Analizimi dhe Promovimi i Trashëgimisë Kulturore në Mitrovicë”.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se ky projekt synoi të zbatojë një analizë të gjendjes aktuale të Trashëgimisë Kulturore në Mitrovicë, e cila do të shërbejë si bazë për hartimin e Planit Komunal për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.

Në konferencë morën pjesë përfaqësues të institucioneve lokale, shoqërisë civile, studentë dhe qytetarë të Mitrovicës.

Konferenca kishte për qëllim prezantimin e të dhënave nga analiza mbi gjendjen aktuale të trashëgimisë kulturore në Mitrovicë.

Gjatë hapjes drejtori i organizatës 7Arte, Lulzim Hoti, prezantoi mbarëvajtjen e projektit, si dhe rezultatet e hulumtimit, ku të dhënat treguan përqindje të lartë të qytetarëve të cilët u deklaruan se trashëgimia kulturore është vlerë jetësore për mirëqenien e qytetarëve të Mitrovicës; 89% u deklaruan që të gjithë fëmijët në shkolla duhet të njoftohen mbi trashëgiminë kulturore të Mitrovicës; 82% deklaruan që komuna duhet të shpenzojë më shumë mjete në aktivitetet për trashëgimi kulturore; 91% u deklaruan se duan që Komuna e Mitrovicës duhet të punojë më shumë rreth mbrojtjes së objekteve të trashëgimisë kulturore të Mitrovicës; 93% u deklaruan që Komuna e Mitrovicës duhet sa më parë të hartojë rregulloren/planin për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Tafil Peci, përgëzoi punën e bërë gjatë projektit si dhe u zotua që do të përkrahë iniciativat e shoqërisë civile e njëkohësisht edhe ato individuale të qytetarëve që kanë për qëllim përmirësimin e sferës së trashëgimisë kulturore të Mitrovicës.

Madje, shprehu gatishmërinë për të ofruar bashkëpunime ndërsektoriale për hartimin e planeve e rregulloreve të cilat do e mbronin e promovonin trashëgiminë kulturore.

Në konferencë ishin të pranishëm edhe studiues e profesorë të cilët kontribuuan me debat konstruktiv si dhe duke dhënë rekomandimet e tyre.

“Gjatë konferencës u publikua edhe Harta Digjitale e pikave me rëndësi të veçantë kulturore për qytetarët e Mitrovicës. Harta do të jetë e hapur për t’u pasuruar edhe me lokacione tjera që propozohen nga qytetarët”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Disa nga rekomandimet nga pjesëmarrësit në konferencë ishin: u rekomandua që të zhvillohet një hulumtim me mitrovicasit të cilët nuk jetojnë në Mitrovicë, se si ata që e kujtojnë Mitrovicën; që edukimi mbi trashëgiminë kulturore të fillojë nga gjeneratat e reja; të mblidhen kujtime nga gjeneratat e vjetra dhe të shkruhet mbi trashëgiminë shpirtërore të Mitrovicës, si dhe që të hartohet sa më parë Plani komunal për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, obligim ky i dalë edhe nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit.

Këto dhe me shumë të dhëna të detajuara do të publikohen në broshurën “Analizë mbi gjendjen aktuale të Trashëgimisë Kulturore të Mitrovicës – Përceptimet e qytetarëve të Mitrovicës”.

Projekti “Analizimi dhe Promovimi i Trashëgimisë Kulturore në Mitrovicë” realizohet në kuadër të projektit GrassRoots Action Support që implementohet nga IKS, Lens dhe FES, financohet nga Bashkimi Evropian dhe menaxhohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.”