Kulturë

Komedia “Burri i gruas sime” impresionon publikun e Zagrebit

Në Teatrin e Kukullave të Zagrebit net më parë u shfaq me sukses premiera e komedisë së autorit të njohur kroat Miro Gavran – “Burri i gruas sime”, me përkthim të Kastriot Çipit, regji të Leonard Hamitajt, sfondin muzikor zgjodhi dhe interpretoi live muzikanti Vedran Kojić me kompozime të njohura të muzikës klasike, ndërsa interpretuan aktorët Amr Kadriju, Valentina Mrijaj, Leonard Hamitaj nga Teatri Mërgimtari nga Kroacia.

Komedia iu prezantua publikut të gjerë në gjuhën shqipe me titra në gjuhën kroate. Leonard Hamitaj, aktor dhe regjisor i cili ka studiuar në Akademinë e Artit Dramatik të Tiranës, pranë këtij teatri e filloi sezonin e shfaqjeve të këtij viti me një përzgjedhje të autorit kroat në gjuhën shqipe, në shpirtin e promovimit të marrëdhënieve kroato/shqiptare në fushën e kulturës.

Image

Premierën e ndoqën Andrija Petroviq, përfaqësues i Bashkisë së Zagrebit, aktorja Konstandina Velkovska, përfaqësues të Kordinacionit të pakicave kombëtare të Zagrebit, si dhe kroatë, shqiptarë, polakë, bullgarë e malazezë te Zagrebit dhe qyteteve të tjerë si Koprivnicës, Bjellovarit, një numër i madh adhurues të teatrit rreth 200 spektatorë.

Aktorët me lojën e tyre mahitën publikun, nuk munguan të qeshurat dhe duartrokitjet. Teatri Mërgimtari, e ka filluar punën e tij prej 2013 në Zagreb, Kroaci me iniciativën dhe entuziazmin e regjisorit Leonard Hamitaj, ka pasur 15 shfaqje dramash, komedish dhe spektakle në Kroaci, Slloveni,Kosovë e Maqedoni, shkruan KultPlus.

Sipas aktores Velkovska qe e ndoqi premierën, segmentet muzikore me volinë, të interpretuara me mjeshtëri nga Vedran Kojiq i dhanë komedisë një ngrohtësi të veçantë. Qëllimi i regjisorit është që punën e këtij teatri shqiptar t’ia paraqesë publikut të gjerë, ta konsolidojë dhe të vazhdojë me projekte të tjera ambicioze në të ardhmen.

Image

Regjisori Hamitaj falënderon autorin Miro Gavran për besimin e treguar dhe shprehet se me këtë komedi do të ketë turne ne gjithë Kroacinë, ne Evropë, Austri, Gjermani, në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri.

Ndërsa për sezonin vjeshtor Teatri Mërgimtari parashikon një tjetër bashkëpunim shqiptaro-kroat në fushën e teatrit, komedinë e një autori të njohur shqiptar në gjuhën kroate.