Kulturë

Ekspozita anonime si reagim artistik përtej autorësisë

Katalogu “Arti i ndaluar” me veprat e artistëve hebrenj që gjatë periudhës së nazizmit është veç një prej botimeve në vitrinën që ndodhet. Afër tij ka edhe fotografi.

Midis tyre ato të Paul Joseph Goebbels, që ishte ministër i Propagandës në Qeverinë naziste të Gjermanisë e njëri prej njerëzve më të afërt të diktatorit, Adolf Hitler, shkruan sot “Koha Ditore”. Goebbels kishte pozuar së bashku me familjen e tij në një prej ditëve të lumtura si pjesë e njerëzve më me ndikim në shtetin gjerman. Dihet se asokohe pushteti nazist midis të tjerash shkoi deri në nivelin e djegies së librave.

Gjithçka që nuk ishte në vijë me kupolën udhëheqëse duhej të zhdukej. Por në një tjetër fotografi, të vitit 1945, del se udhëheqësit ia kishin parë sherrin politikave të tyre, pjesë e të cilave ishte edhe arti e kultura. Fotografia sjell fëmijët e Goebbels të vrarë. Kishte ardhur deri në atë nivel sa që i kishte ekzekutuar para se të vriste veten. Shteti i ndërtuar prej tij me shokë, jo vetëm që kishte rënë, por ishte shkatërruar në palcë.

Për ironi, ekspozita është hapur një ditë para ditëlindjes së Adolf Hitlerit, i cili u lind më 20 prill të vitit 1889 në Austri. Krejt kjo lidhshmëri midis veprave të artit, politikës, e pasojave të të dyjave, është veç një copëz e ekspozitës “Grouping - Moving – Spreading’ METAXYUM”, që është hapur të premten mbrëma në Galerinë Kombëtare të Kosovës në Prishtinë. Me autorë anonimë, ekspozita ka histori të shumëfishta.

Në vitin 1984 do të themelohej grupi “FILOART”. Kishin hapur një ekspozitë në Prishtinë, në maj të vitit 1987. Titullohej “Kjo nuk është ekspozitë, por e kundërta e saj”. Ky titull do të mundë t’i shkonte prapë pas 32 vjetësh. Ajo aktualja është njëfarë ekspozite për ekspozitat pasi merret me hulumtimin midis artistëve, publikut e veprave, prej ndikimit të njëri-tjetrit e deri te ajo se kujt i takon autorësia.

Ekspozita e njëjtë nga Prishtina, ku kishte qëndruar për vetëm një natë, kishte udhëtuar drejt Rijekës së Kroacisë. Atje kishte bërë namin. Ishte kritikuar fort nga mediat, megjithëse ato nuk merreshin me përmbajtjen, por me atë se përse është pa autorë dhe ngrinin pyetje hipotetike për mesazhet që përcillte ngjarja. Pushteti jugosllav i asaj kohe, që numëronte vite që po i dridhej rehatia, e mbylli ekspozitën me polici.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)