Kulturë

Anëtarët e “Shotës” kërkojnë 550 euro pagë minimale

Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, që konsiderohet festë e klasës punëtore, një grup anëtarësh të ansamblit të këngëve e valleve “Shota” ka protestuar për paga të dinjitetshme, sigurim shëndetësor e rregullim të statusit të artistëve me ligj.

Protesta ka marrë formën e një performance. Të ulur para hyrjes së objektit të Ministrisë së Kulturës, të Rinisë e të Sportit, në sheshin e kryeqytetit, me kostume tradicionale, anëtarët kanë improvizuar sikur janë publik, shkruan sot “Koha Ditore”.

E shfaqja para tyre është zhvilluar nëpërmjet pankartave ku janë shkruar kërkesat si: “rregullimin e statusit për artista me ligj, rroga të dinjitetshme, rroga bazë 550 euro, sigurim shëndetësor, duam t’i besojmë shtetit tonë, artisti, ambasador i kulturës së shtetit” e të tjera. Pagat e punëtorëve të “Shotës”, varësisht prej kategorive e detyrës që bëjnë, sillen prej 320 deri në 415 euro.

Protesta e organizuar nga shoqata sindikale e pavarur e ansamblit të këngëve e valleve “Shota”, është vazhdimësi e shprehjes së pakënaqësive të komunitetit artistik në Kosovë. Në fund të marsit, një grup aktorësh të trupës rezidente të Teatrit Kombëtar të Kosovës, paralajmëroi grevë e bllokim të repertorit të këtij institucioni.

Një muaj më pas ishin zmbrapsur nga ky paralajmërim pas premtimeve për një kontratë kolektive, që doli si rezultat i takimit të ministrit të Kulturës, të Rinisë e të Sportit, Kujtim Shala, me një delegacion të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, të Shkencës dhe të Kulturës, në krye me kryetarin Rrahman Jashari... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.