Mbrëmje magjike dhe e veçantë u cilësua ajo e së shtunës, ku iu tha jetës dhe shpirtit përmes tingujve të muzikës xhaz dhe poezisë. Mbrëmje, në të cilën para se gjithash iu këndua “dashurisë kulmore”, asaj që ne jetojmë çdo ditë me personat e zemrës.
I ideuar nga xhaz artistja shqiptare Eda Zari, me bashkëpunëtorët Ilir Bajri dhe Hayden Chisholm, koncerti shënoi Ditën Ndërkombëtare të Xhazit në Prishtinë.
“Love Supreme” solli balada të ndryshme të dashurisë, të përpunuara me mjeshtri nga muzikantët.
E veçantë dhe e ëmbël në skenë, siç di të jetë gjithmonë ajo, Zari kishte kërkuar që skena të nivelizohej, duke bërë që ky koncert të dukej sikur një grup miqsh, të mbledhur në një feste të përbashkët dhe që të gjithë të mishëruar me muzikën xhaz.
Me këtë koncert, Eda Zari rikthehet pas 3 vjetësh në Prishtinë, kjo për një arsye dhe dëshirë të madhe që ajo ka.
Përveç muzikës, poezia zuri një pjesë të mirë të kësaj mbrëmjeje, të interpretuara nga Elsa Ymeri dhe Hekuran Tirona.
Për saksofonistin nga Zelanda e Re, Hayden Chisholm, kjo ishte hera e parë në Prishtinë dhe që po interpretonte përpara publikut kosovar.
Gjatë këtij koncerti, nuk këndoi vetëm Zari, pasi publiku këndoi bashkë me të disa prej këngëve të njohura shqiptare.
Eda Zari do të rikthehet në Kosovë në gusht të këtij viti. Ajo, në kuadër të festivalit DokuFest, do të promovojë albumin e publikuar shtatorin e kaluar, “Entropy”, përmes të cilit bizanti takon xhazin dhe ison shqiptare, një koncept muzikal gati historik.