Kulturë

“Në mes” vlerësohet në Lituani për fuqinë kinematografike

Descriptive Text

"Ky film është si një përrallë, të gjithë na tërhoqi ndriçimi i tij, aftësia për të shtjelluar tregimin e vet dhe tërheqjen e fuqishme kinematografike", është arsyetimi i jurisë për filmin dokumentar “Në mes” që është vlerësuar si filmi më i mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Vilnius të Lituanisë në kuadër të garës së filmave të shkurtër. Kësisoj, filmi dokumentar që ka nisur rrugëtimin e tij në festivale në shkurt të këtij viti, tashmë ka nisur një tjetër rrugë. Atë të çmimeve, shkruan sot Koha Ditore.

Juria në përbërje të Caroline Mallevile, programere e filmit në kinematekën Franceze, Rimante Daugelaite, drejtoreshë e Agjencisë Lituaneze për Film të Shkurtër dhe regjisorit Spanjoll, Xacio Bano kanë përzgjedhur filmin e regjisorit Samir Karahoda si më të mirin në kuadër të 30 filmave të tjerë në konkurrencë në kategorinë e filmit të shkurtër.

Sipas komunikatës për media, në pamundësi për të qenë prezent në ndarjen e çmimeve në Vilnius, regjisori Samir Karahoda u paraqit me video-lidhje në Lituani dhe me këtë rast e falënderoi Festivalin që e selektoj filmin dhe jurinë për këtë çmim shumë të rëndësishëm. Sipas komunikatës, Karahoda po ashtu shprehi edhe keqardhjen për mosprezencën e tij në Lituani pasi që është filmi debutues i tij dhe ky Çmim si i pari në karrierën e tij si regjisor do të ketë gjithmonë një vlerë shumë të madhe.

Karahoda i ka thënë gazetës se Festivali nuk ka mbuluar asnjë shpenzim sa i përket shkuarjes së regjisorëve dhe, ky Festival nuk është në listën e Qendrën Kinematografike Botërore sa i përket përkrahjes së udhëtimeve të stafit të filmave. (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)