Kulturë

Restaurimi në Xhaminë e Gurit s’ka nisur as një vit pas marrëveshjes me TIKA-n

Xhamia më e vjetër në kryeqytet, ajo e Çarshisë, ka vjet që ka mbetur në gjendje të keqe.

Restaurimi i saj ende nuk ka nisur, ndonëse për këtë, në qershor të vitit të kaluar, ishte nënshkruar një memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë së Kulturës, Bashkësisë Islame të Kosovës dhe organizatës turke TIKA.

Në bazë të memorandumit, i cili nuk përcakton afat kohor të kryerjes së punimeve, TIKA obligohet që ta kryejë restaurimin, raporton KTV.

Në Ministrinë e Kulturës kanë thënë se janë duke pritur projektin, i cili më pas do të shqyrtohet nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

Pas dhënies së pëlqimit, Ministria edhe do t’i mbikëqyrë punimet.

Organizata turke i ka thënë KTV-së, përmes një përgjigjeje me shkrim, se

projekti i restaurimit të Xhamisë së Çarshisë është në fazën e projektimit.

“Pas përfundimit të kësaj faze, projekti në fjalë do të përcillet në IKMM dhe në komisionin përkatës, për t’iu nënshtruar procesit të shqyrtimit dhe vlerësimit”, kanë thënë zyrtarë të kësaj organizate.

Me fillimin e fazës së projektimit, për ta parandaluar keqpërdorimin dhe degradimin e mëtutjeshëm të Xhamisë, sipas TIKA-s, objekti është rrethuar me murin mbrojtës të përkohshëm dhe është në mbikëqyrje 24 orë.

Viteve të kaluara, objekti i lënë pas dore ishte shfrytëzuar nga përdorues të drogave dhe oborri i saj për parking.

Xhamia, që ndryshe njihet si e gurit, pati nisur të restaurohet në vitin 2011, e me ardhjen në pushtet të Shpend Ahmetit, në vitin 2013, restaurimi ishte ndalur dhe lënda ishte dërguar në Prokurori, me dyshimin për keqpërdorim fondesh prej 562 mijë eurosh.

Për këtë, me gjobë prej 3,600 eurosh ishte dënuar ish-drejtori i IKMM-së Agim Gërguri, dhe arkitekti Gani Gashi.

Xhamia e gurit llogaritet si një ndër ndërtesat më të vjetra të Prishtinës, e ndërtuar rreth vitit 1392.