Kulturë

DJ-ët që po e promovojnë muzikën elektronike në Tiranë

Kristi Gega qëndron para “Prodjschool Metronom”, një akademi muzikore e specializuar në produksionin e muzikës elektronike dhe në miksime. Kjo është njëra prej shkollave të para për DJ në Tiranë dhe Kristi, e cila njihet me emrin artistik Kiki La Rochelle, është pronarja dhe menaxherja.

Tirana është një vend të cilin revistat e udhëtimeve do ta përshkruanin si “Berlini i ri”. Arkitektura e periudhës së komunizmit i jap qendrës së qytetit një tipar sa të guximshëm, po aq edhe energjik. Arti rrugor mbërthen çdo hapësirë, dhe të premteve e të shtunave mbrëma ahengjet gjallërojnë qytetin.

Ama teknoja ka pasur hyrje të ngadaltë në Tiranë. Përpos një festivali të rastit, organizimet për fundjava në kryeqytetin shqiptar rëndom dominohen nga performancat live dhe komerciale nga DJ-ët që bëjnë xhiro që prej Ibizas. Për DJ-ët e paktë lokalë që korrën sukses, çelësi është te vazhdimi i karrierës jashtë Shqipërisë.

Kristi i përket një numri në rritje të artistëve, muzikantëve dhe DJ-ëve që po luftojnë t’ia sjellin vendit muzikën elektronike.

Autobusët qarkullojnë nga “Metronomi” në “Pepper Bar” të lagjes së famshme të Tiranës, “Blloku”, një prej disa shtëpive de fakto të atyre që e duan muzikën elektronike, shkruan “Mixmag”, transmeton “Koha Ditore”. Duke qenë fillimisht restorant, “Pepper Bar” krenohet me strukturën çuditërisht të përzier dhe të bollshme të njerëzve që e frekuentojnë. Jashtë tij, një grup i vogël burrash të veshur me të zeza thithin cigare dhe i zbrazin gotat me birra, në pritje të DJ-it.

Ky kontrast vërehet kudo përreth “Bllokut”. Zona që dikur qe e rezervuar vetëm për elitën e Partisë Komuniste, së fundi ka marrë pamje të re, me ç’rast blloqet e banimit të stilit tipik komunist me nuanca të murrme e të rrahura nga dielli janë shndërruar në pallate të dekoruara me drita neoni e ngjyra të ndezura. Shumë shpejt, kafenetë dhe restorantet mbushën zonën.

E shpirti rinor i të rinjve të shumtë dhe i studentëve të qytetit e transformuan lagjen prej një zone të qetë restorantesh në epiqendër të jetës së natës. Por pavarësisht këtij zhvillimi, ideimi i kohës së shkuar komuniste të Enver Hoxhës mbizotëron ende në Shqipëri. Ani pse nuk u lejohej të udhëtonin jashtë vendit, banorët lokalë ishin më se të vetëdijshëm për kufizimet e tyre artistike; “Festivali i Këngës” i 1972-s përfundoi me deklaratën se organizatorët ishin “armiq publikë” që po e sillnin ndikimin e papërshtatshëm perëndimor në vend. Pjesëmarrësit qenë shkarkuar, arrestuar ose, në disa raste, vrarë.

“Çdo lloj materiali muzikor filtrohej përmes institucioneve të kontrollimit”, shpjegon Rubin Beqo.

Beqo është njëri prej bashkëpronarëve të “Tulla Cultural Center”, një qendër incizimesh dhe hapësirë për organizime në Tiranë. “Kurrë nuk kemi pasur incizime, kështu që pas komunizmit kishim fare pak gjëra me çka ta zhvillonim muzikën. Pastaj prindërit nuk na e zhvilluan apo nuk na lejuan marrëdhënien intime me muzikën... Përherë e shihja këtë si diçka patologjike për zhvillimin tonë në skenën lokale, e dini, nuk e kemi pasur këtë marrëdhënie”.

Pas rënies së komunizmit më 1991, Shqipëria e pati të vështirë të këndellej nën kushte të kufizuara. Teksa qytetarët tani kishin qasje në muzikën dhe në median e huaj, vendi ishte i plandosur nga problemet e tjera; papunësia në hava, pagat në minimum dhe rrënimi i kudoshëm i infrastrukturës, duke kulmuar me rënien e Qeverisë më 1997, si pasojë e korrupsionit të gjithëpranishëm dhe investimeve në skema piramidale.

Që atëherë vendi ka hedhur hapa të mëdhenj. Ekonomia është në rritje, ndërsa valutat e huaja tashmë po hyjnë në vend, duke korresponduar me rritjen e numrit të emigrantëve të dikurshëm që kthehen në atdhe. Dhe mu këtu, DJ-ët dhe producentët shohin një rreze mundësie.

Kësisoj, Kristi takon Teelcon, një tjetër DJ dhe producent nga Tirana, teksa ai po performonte në një organizim.

“Shkova te Teelco për të parën herë që e pashë dhe i thash: ‘O zot, ku ishe më herët?’ Ishte krejtësisht ndryshe prej muzikës tjetër që luhej në Shqipëri... U entuziazmova”, tha ajo.

Pak kohë më vonë, Teelco iu bashkua ekipit të Metronomit, duke ligjëruar produksionin.

Falë punës dhe promovimit të tyre, fjalët për Shqipërinë po përhapen. Vitin e kaluar festivali i ri “Kala” u mbajt në Dhërmi të brigjeve jugore detare. E në festivalin e ardhshëm “Unum” në Shëngjin, prezantimi do të jetë mbresëlënës – me performancat e pritura të Ricardo Villalobosit, Lucianos, Joseph Capriati dhe shumë të tjerëve.

Shumica e netëve të fundjavës në Tiranë përmbyllen në “Discobox”, një klub nate vallëzimi goxha larg “Pepper Barit”. Aty “jeta” fillon pas orës 3:00 të mëngjesit, teksa të pranishmit kërcejnë hovshëm nën tingujt e DJ-it. Pavarësisht të gjitha telasheve, turma në “Discobox” e frymëzon Teelcon.

“E vetmja gjë që ka rëndësi është pasioni për muzikën dhe përçimi i këtij pasioni tek të tjerët. Nuk është puna të të qenit DJ ndërkombëtar apo ta nxjerrësh emrin e Shqipërisë jashtë Shqipërisë... Dua që të tjerët të thonë: ‘Më pëlqen ky djalosh. Më pëlqen mënyra se si mikson”.

DJ-i tjetër lokal, Anascole, pajtohet me të. “Ka goxha arsye për stres ndonjëherë... (por), skena e muzikës elektronike po rritet – më e rëndësishmja është dashuria për muzikën”.