Kulturë

Antikomunizmi shkatërrues i Luftës së Ftohtë

Arti më i mirë narrativ kapërcen didaktizmin në favor të reflektimit moral dhe subtil. Filmi polak “Cold War”, që u shfaq vjet, nën regji të Pawel Pawlikowskit, nuk përbën përjashtim. Rrëfen një histori të frymëzuar prej prindërve të Pawlikowskit, të Wiktor Warskit (Tomasz Kot) dhe Zula Lichonit (Joanna Kuligut), zjarri i dashurisë i të cilëve digjet prej pasojave politike në Evropën e pasluftës.

Pasioni i Wiktorit për Zulën e shteron atë. Nuk i shkoqet për vite me radhë pasi ai largohet nga Polonia, dhe e shtyn të kthehet, pavarësisht se e di që e pret burgu. Zula është e hijshme, krijesë delikate, viktimë e abuzimit, e talentuar, por e pasigurt, vajzë që flirton, dhe melankolike, e krejt këto e shpijnë në rrugën e konsumimit të alkoolit, shkruan “National Review”, transmeton “Koha Ditore”. Dhe kjo romancë e zjarrtë dhe ogurzezë ka edhe anën politike. Kjo është edhe arsyeja pse “Cold War” nuk është vetëm melodramë. Është kryevepër.

Filmi është subtil, por një kritikë goditëse në zemër të fenomenit socialist. Wiktori dhe Zula takohen shkurtimisht pas Luftës së Dytë Botërore, kur Wiktori ngarkohet me detyrën e mbledhjes së një trupe muzikore që do të këndojë muzikë popullore për nomenklaturën e qeverisë klienteliste sovjetike. Me partnerin e saj, koreografja Irena Belecka (Agata Kulesza), Wiktori bën udhëtime në terren në zona rurale, duke incizuar këngë të vjetra. Ata vendosen në atë që duket një objekt i vjetër i lënë pas dore – rrënojë e regjimit të vjetër – ku i mbajnë audicionet.

Në mesin e valltareve aspiruese është edhe Zula, e cila menjëherë e bën për vete Wiktorin. Irena nuk e ndan entuziazmin e njëjtë sikur Wiktori, i cili mbetet pa fjalë kur Zula interpreton një këngë të një filmi sovjetik. Por ajo jepet. Zula pranohet.

Fati i tyre ndërthuret me konformizmin, korrupsionin dhe shantazhin e socializmin. Afër objektit ku qëndrojnë Wiktori, Irena dhe Zula është një kishë e shkatërruar. Arti në muret e saj është shkarravitur. Në njërën prej pikturave shihen vetëm sytë e Jezusit. Ata shohin me keqardhje dhe pikëllim krijesat njerëzore në fushën përtej kishës. Zula i rrëfen Wiktorit se po e informonte për të Lech Kaczmarekut (Borys Szyc), njëfarë komisari i ngarkuar për të përcjellë Wiktorin dhe Irenën.

Komisari dëshiron ta marrë vesh nëse Wiktori është politikisht korrekt, nëse beson në Zot. “A beson? - Unë po”, i thotë Zula. Është një bindje që mund të rrëfehet vetëm në besim të plotë. Wiktori, i cili nuk përgjigjet, frustrohet me Zulën pse e ka spiunuar. Por nuk mund ta mbajë gjatë inatit kundër saj. Nuk ia del dot kundër saj.

Kaczmareku është ambicioz. Pasi grupi bën debutimin, ai i shoqëron Wiktorin dhe Irenën në një takim me një zyrtar partie. Këngët dhe vallet fshatare janë të mrekullueshme, thekson ky aparatçik, por mbase do të mundë të shtonit edhe një numër pikash për lavdinë e reformës së tokës dhe revolucionit. Irena e kundërshton idenë. Kaczmareku ndërhyn dhe thotë se ndryshimet duhet t’i bëjnë me qejf madje. Wiktori, i cili nuk lodhet fort që të japë llogari, nuk bëzan. Ai nuk lodhet fort për programin artistik, meqë është përqendruar në botën e tij emocionale.

Në vend të veshjeve tradicionale, anëtarët e korit janë veshur me uniforma, për t’ia bërë qejfin partisë dhe për të nderuar liderin suprem komunist të bllokut lindor, Josef Stalin, portreti i madh i të cilit ia merr anën gjithçkaje. Irena shikon me neveri nga audienca dhe largohet për të mos u kthyer më.

Disa kritikë nuk kanë shprehur fjalë të mira për linjën e rrëfimit në film, që kalon prej vitit në vit. Por ata duket se kanë lënë mënjanë pjesën që në fakt zhvesh natyrën perfide të botës së autoritarizmit socialist. Wiktori largohet në Gjermaninë Perëndimore gjatë një vizite që i bën Berlinit Lindor në vitet pesëdhjetë. Ai pret se do të shkojë edhe Zula, e cila nuk e merr kurrë të njëjtën udhë. Atëherë ende nuk ishte ndërtuar Murit i Berlinit. Wiktori shkon në Paris, ku luan në piano. Zula i bashkohet Wiktorit, duke u martuar legalisht me një shtetas italian – të cilin pastaj e braktis.

Qëllimi ishte që të kalonte Perden e Hekurt. Asaj, megjithatë, nuk i pëlqen jeta në Paris. Nuk kalon shumë kohë kur ajo largohet përsëri prej tij. Ai merr vesh se Zula është kthyer në vendlindje. Ai shkon në Ambasadën polake, duke shprehur dëshirën që të kthehet në vendlindje. “Pse dëshironi të ktheheni?” – e pyet një nëpunës ambasade. Ai nuk ka përgjigje, por e di se Zulën nuk mund ta shkoqë nga mendja. Paradoksi i “Cold War” është ky: Imperativi i jetës private e kthen Wiktorin në vendin ku jeta private nuk është e mundur. Wiktori nuk e nxjerr këtë leksion derisa të bëhet tepër vonë. Por nuk është tepër vonë për ne.