Kulturë

Kosova me katër rrëfime lufte në Bienalen e Venecias

Katër rrëfime për luftën në tri videoinstalacione do të shpalosen në Pavijonin e Kosovës në Venecia. Në prag të 20-vjetorit të çlirimit të vendit, në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia të Italisë, shteti më i ri i Evropës do të shpalosë rrëfime me pasojat humane të asaj që është përjetuar më 1998-1999, shkruan sot Koha Ditore.

E titulluar “Family Album”, tema e artistit Alban Muja, që përfaqëson vendin në edicionin e 58-të të kësaj ngjarjeje, zë fill në rrëfimet personale, tek shtrihet te ato të individëve të tjerë për të rrumbullakuar në një projekt artistik mozaikun e luftës në Kosovë. Ka zgjedhur imazhet e tri personazheve që ishin publikuar në mediat ndërkombëtare dhe ka zgjedhur të shpalosë përvojat e tyre të para 20 vjetëve e rrugëtimin e derisotshëm.

Në një konferencë për media të mbajtur të premten në Galerinë Kombëtare të Kosovës, ekipi i përbërë nga artisti Muja, kuratori Vincent Honoré e komisionerja Arta Agani, ka shpalosur disa të dhëna për prezantimin e Kosovës në edicionin e sivjetmë të ngjarjes më të madhe në botë sa i përket artit bashkëkohor.

Alban Muja, i njohur si artist bashkëkohor me një përvojë gati dy dekada, ka thënë se si shtet i ri, Kosova, ka nevojë për prezantime sa më dinjitoze. Ka përmendur faktin që gjatë luftës, vetë ishte refugjat sikurse qindra mijëra shqiptarë të tjerë të Kosovës. Ka thënë se së bashku me ekipin, besojnë që ana humane e atyre ngjarjeve që kanë ndodhur më 1998 dhe 1999 duhet të tregohet dhe duhet të ndahet me një audiencë shumë të madhe, siç është ajo e Bienales së Venecias.

(shkrimin e plotë e gjeni sot në “Koha Ditore”)