Kulturë

Orkestra femërore e Afganistanit

Descriptive Text

Pesë vjet më parë, një orkestër unike e përbërë krejtësisht prej grave qe formuar në Afganistan, një vend ky ku shumë pak vite më herët muzika qe e ndaluar, ndërsa gratë ishin të privuara nga e drejta për shkollim. Tani, “Zohra” viziton për të parën herë Britaninë e Madhe.

Askush nuk pretendon se në Afganistan, ndikimi taleban është çrrënjosur krejtësisht. Dhuna po vazhdon. Por dy dekada më parë, një gjë si Instituti Kombëtar Afgan i Muzikës (ANIM) do të ishte e paimagjinueshme.

ANIM është themeluar më 2008, me mbështetje ndërkombëtare, për t’iu ofruar arsimim muzikor të rinjve afganë. Krejt kjo jo shumë kohë pasi kryeqyteti afgan, Kabul, më në fund u çlirua nga mbërthimi i talebanëve fundamentalistë sunitë.

Gjatë viteve të sundimit taleban, muzika – që dikur ishte pjesë esenciale dhe e pasur e kulturës afgane, e admiruar kudo nëpër botë – ishte çrrënjosur krejtësisht. E sot, ANIM ua mëson shkathtësitë muzikore rreth 250 të rinjve në Kabul, si të gjinisë mashkullore ashtu edhe asaj femërore, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”. Shifra pritet të rritet në 320, ndërsa janë bërë plane për zgjerim edhe në qytetet Herat, Mazar-e Sharif dhe Jalalabad.

Rreth 70 për qind e të rinjve në këtë Institut burojnë nga shtresat e pafavorizuara, disa prej të cilëve dikur kanë punuar si shitës nëpër rrugë të perimeve, qeseve plastike dhe çamçakëzëve. Mosha e tyre sillet prej 12 deri në rreth 20-vjeçare.

Ama kur themeluesi i ANIM, Ahmad Sarmast, e nisi punën para pesë vjetësh, ai synonte që projekti t’u sjellë përfitime ekskluzivisht vajzave.

“Një prej nxënëseve më tha se ekziston nevoja për një grup prej katër apo pesë vajzash që do të luanin muzikë pop”, tha ai. “Më pëlqeu ideja dhe pothuajse menjëherë u bë e qartë se shumica e vajzave në ANIM mezi prisnin të bëheshin pjesë e projektit. Krejt papritmas nisëm të flisnim për një orkestër të tërë”.

“Për Afganistanin kjo ishte një botë e re. Jo vetëm se talebanët e kishin bërë të pamundshëm performimin apo dëgjimin e muzikës, por edhe e gjithë pozita e grave në shoqëri ishte shtypur plotësisht”.

Orkestra e mori emrin Zohra, sipas perëndeshës persiane të muzikës. Sarmast është i kënaqur me punën e bërë dhe emrin që orkestra tanimë ka bërë.

“Por mbi të gjitha, përçohet mesazhi i barazisë gjinore te afganët e tjerë. ‘Zohra’ prodhon tinguj të këndshëm, por është po ashtu një simbol i lirisë për gratë afgane. Ky është mesazhi që ne e përçojmë në botë”.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)